Menaxheri i personazheve VIP, Xhani Demika, ishte i ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, të moderuar nga Bieta Sulo, ku foli për fotografinë e Elvana Gjatës që është bërë virale ditët e fundit.
Artistja shfaqet në krah të inxhinierit Elson Bajrakurtaj, çka ka nxitur menjëherë dyshimet se mes tyre mund të ketë një lidhje romantike. Krahas aludimeve për një marrëdhënie, në media është përfolur edhe mundësia që Elvana Gjata të jetë shtatzënë.
Të lidhura
None found
Demika tha se nuk ka dijeni nëse këngëtarja është në pritje të ëmbël, por uroi që lajmi të jetë i vërtetë dhe gjithçka të shkojë më së miri për të. Ai shtoi se Elvana dhe Elsoni duken shumë të përshtatshëm për njëri-tjetrin.
Gjatë intervistës, Xhani tregoi edhe një postim të bërë nga inxhinieri, i cili kishte publikuar një fotografi me Elvanën dhe e kishte shoqëruar me fjalët: “Për qenie të vogla si ne, pafundësia bëhet e papërballueshme vetëm përmes dashurisë”.
Pjesë nga intervista:
Bieta: Prej disa ditësh po qarkullon lajmi për një shtatzëni, por edhe për konfirmimin e lidhjes së Elvana Gjatës. Është thënë se këngëtarja është në pritje të ëmbël dhe se nuk po e fsheh më partnerin e saj.
Xhani: I njoh të dy. Me Elvanën kam punuar prej vitesh për koncertet, ndërsa Elsoni është një inxhinier shumë i suksesshëm në Angli. Është njeri fantastik dhe shumë i kulturuar. E pashë lajmin dhe shkrova “më bëhet qejfi, urime”. Mora vetëm një pëlqim si përgjigje. Ndërkohë, ka edhe një postim tjetër që regjia nuk e ka, por që unë e kam. Aty shkruhet: “Për qenie të vogla si ne, pafundësia bëhet e papërballueshme vetëm përmes dashurisë”. O sa i thellë paske qenë, o inxhinier, hajde ta kuptojmë ne. Postimi shoqërohet me një fotografi ku është edhe Elvana.
Bieta: Si e lexon ti këtë postim?
Xhani: Më vjen mirë, sepse të dy janë njerëz të mirë. Me sa di unë, Elvana ka kohë që shoqërohet me Elsonin. Nga mbiemri duket se është nga veriu, por nuk e di saktësisht. Ai jeton prej vitesh në Angli. Elvana është një person shumë misterioz.
Bieta: Si janë njohur?
Xhani: Thuhet se janë njohur gjatë filmit “Dy gisht mjaltë”. Më gëzon shumë kjo gjë për të dy, sepse përshtaten dhe duken sikur janë bërë për njëri-tjetrin.
Bieta: A është Elvana shtatzënë?
Xhani: Nuk e di, sepse nuk kam pasur rast ta takoj kohët e fundit. I kam bërë një ofertë për një koncert dhe ende pres përgjigjen e saj. Fakti që nuk po jep një përgjigje të qartë më bën të mendoj se mund të ketë diçka që po e shqyrton me kujdes përpara se të dalë publikisht. Mendoj se, nëse lajmi është i vërtetë, ajo po mendon se si do ta bëjë të ditur. Uroj që të jetë e vërtetë dhe, pse jo, të jetë djalë ose të ketë binjakë.
Bieta: Xhani i di mirë këto gjëra.
Xhani: Jo, ishte thjesht urimi im.






