Pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Serbi, Lista Serbe nuk ka bërë ende asnjë deklaratë publike. Në këto zgjedhje, fitoren e siguroi Lista Studentore.
Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, u krijua në vitin 2013 me përkrahjen e drejtpërdrejtë të SNS-it dhe Vuçiqit. Ky i fundit e pranoi humbjen në mbrëmjen e 25 tetorit, por tha se SNS kishte dalë fituese “kudo ku jetojnë serbët në rajon”, përfshirë Kosovën.
Të lidhura
None found
Të dhënat preliminare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi tregojnë se në vendvotimet ku votuan serbët nga Kosova, lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” mori rreth 71 për qind të votave. Lista Studentore siguroi rreth 21 për qind.
Në të gjithë Serbinë, rezultati ishte i kundërt: Lista Studentore mori mbi 52 për qind të votave, ndërsa “Serbia e Bashkuar” e ish-presidentit Vuçiq arriti rreth 39 për qind.
Ivan Vuçkoviq, përfaqësues opozitar i serbëve të Kosovës nga Leposaviqi, thotë se këto zhvillime tregojnë se “asgjë nuk do të jetë më si më parë”.
“Liria po na vjen nga Beogradi”, deklaron ai për Radion Evropa e Lirë (REL).
Vuçkoviq dhe përfaqësues të tjerë opozitarë serbë në Kosovë e konsiderojnë Listën Serbe dhe Vuçiqin përgjegjës për përkeqësimin e gjendjes së komunitetit serb.
Sipas tyre, pushteti i deritanishëm në Serbi, përmes Listës Serbe, ua ka “dorëzuar” institucioneve të Kosovës institucionet serbe dhe kompetencat që më herët kontrolloheshin nga Beogradi.
Sot, në komunat me shumicë serbe në Kosovë, brenda sistemit të Serbisë vazhdojnë të funksionojnë vetëm institucionet e arsimit dhe shëndetësisë.
“Pas kësaj tradhtie të madhe, si pasojë e së cilës nuk na ka mbetur pothuajse asgjë nga Serbia në Kosovë e Metohi, do të jetë shumë e vështirë”, thotë Vladimir Radosavleviq nga Demokracia Serbe, parti opozitare në nivel lokal nga veriu i Kosovës.
Çfarë do të ndodhë me Listën Serbe?
Radio Evropa e Lirë kërkoi një koment nga Lista Serbe pas publikimit të rezultateve të para preliminare në Serbi, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk mori përgjigje.
Në zgjedhjet e qershorit në Kosovë, kjo parti fitoi nëntë prej dhjetë ulëseve të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend. Mandati i dhjetë shkoi për Nenad Rashiqin nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Rashiqi, i cili mban postin e ministrit në Qeverinë e Albin Kurtit, në zgjedhjet në Serbi mbështeti Lëvizjen Studentore.
Për REL-in, ai thotë se një bashkëpunim mes Listës Serbe dhe pushtetit të ri në Serbi nuk duket i mundshëm.
Rashiqi nuk e përjashton as skenarin që Partia Përparimtare Serbe t’i kërkojë Listës Serbe të largohet, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të saj të japin dorëheqje nga funksionet që mbajnë.
“Kjo mund të jetë një nga mundësitë, por nuk pres që ata të veprojnë në mënyrë morale dhe ta bëjnë një gjë të tillë. Ata janë në pushtet në nivel lokal sepse SNS-i i ka vendosur në ato pozita me të gjitha mënyrat e mundshme”, thotë Rashiqi.
Lista Serbe kontrollon aktualisht të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Gjithashtu, zyrtarët e saj drejtojnë institucione të Serbisë në Kosovë. Mes tyre është edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili është në krye të Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut.
Edhe Ivan Vuçkoviq, asamblist në Kuvendin Komunal të Leposaviqit, mendon se Lista Serbe nuk mund të bashkëpunojë me Qeverinë e re të Serbisë.
“Jam i bindur se ata do të shpërbëhen në ditët në vijim. Nga ana tjetër, ata nuk mund të funksionojnë pa mbështetjen e Beogradit”, shprehet ai.
Vladimir Radosavleviq, i cili është po ashtu asamblist në Leposaviq, në veri të Kosovës, e mbështet këtë vlerësim.
Sipas tij, Lista Serbe nuk mund të vazhdojë të jetë në pushtet në Kosovë, pasi përndryshe “e gjithë lufta do të kishte qenë e kotë”.
Partia e Radosavleviqit ka përkrahur Listën Studentore dhe protestat e zhvilluara nga studentët.
“Si dikush që ka qenë me studentët që nga fillimi, e di se ata nuk do ta pranojnë kurrë bashkëpunimin me Listën Serbe, bërthamën e fortë të SNS-it në Kosovë. Ata kanë qenë bashkëpjesëmarrës të drejtpërdrejtë të Aleksandar Vuçiqit në tradhtinë e madhe ndaj Kosovës e Metohisë. Shkurt, atyre u ka ardhur fundi dhe së shpejti do të japin llogari për gjithçka që kanë bërë”, thotë Radosavleviq për REL-in.
Për çështjen e Kosovës, Lista Studentore ka deklaruar se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, e cila e përkufizon Kosovën si pjesë përbërëse të saj.
Megjithatë, Lista Studentore nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse synon të bashkëpunojë me Listën Serbe, përfshirë bashkëpunimin institucional, apo se cili është qëndrimi i saj për marrëdhëniet e ardhshme me Qeverinë e Kosovës.
Çfarë presin serbët e Kosovës nga pushteti i ri?
Ivan Vuçkoviq kërkon sqarime për mënyrën se si janë administruar fondet e dërguara nga Serbia në Kosovë dhe pretendon se Lista Serbe ka kryer abuzime të shumta.
Lëvizja politike studentore në Serbi u krijua nga protestat studentore, të cilat kishin në qendër luftën kundër korrupsionit.
Vuçkoviq mendon se lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë një nga përparësitë e pushtetit të ri edhe në raport me Kosovën, veçanërisht për investimet e financuara nga buxheti i Serbisë në zonat me shumicë serbe.
Ai thotë gjithashtu se përfaqësuesit e Listës Serbe “mund të kërkojnë azil politik në Kosovë”, pasi beson se në Serbi mund të përballen me akuza për vepra të shumta penale.
“Jam i sigurt se edhe këtu [në Kosovë] do të ketë ndryshim të pushtetit”, shprehet ai.
Vuçkoviq nuk pret ndryshime të mëdha në lidhje me kompetencat e Serbisë në Kosovë. Megjithatë, ai shpreson që autoritetet e reja në Beograd të ndërhyjnë për mbrojtjen e institucioneve serbe që kanë mbetur.
“Të mund të llogarisim në mbështetjen e Serbisë në aspektin financiar, në mënyrën më reale dhe më të drejtë. Disa gjëra thjesht kanë marrë fund, por shpresoj që pushteti i ri do të arrijë t’i korrigjojë disa gabime të pushtetit të mëparshëm, sa i përket asaj se kush i udhëheq institucionet, mbështetjes dhe shpërndarjes së fondeve”, thotë Vuçkoviqi.
Vladimir Radosavleviq pret që udhëheqja e re në Serbi të ketë më shumë mirëkuptim ndaj serbëve të Kosovës dhe t’u japë atyre rol më të madh në vendimmarrjen për çështjet që ndikojnë në jetën e tyre.
“Që ne të vendosim për fatin tonë”, thotë ai.
“Lista Studentore nuk ka nevojë të bëjë asgjë të jashtëzakonshme. Mjafton të emërojë drejtues të aftë dhe të ndalojë vjedhjen e qindra milionë eurove, të cilat çdo vit përfundojnë në xhepa privatë, në vend se të shkojnë në zonat serbe në Kosovë. Kjo do ta zvogëlonte ndjeshëm largimin e serbëve nga Kosova, që ka marrë përmasa marramendëse”, deklaron Radosavleviq.
Milliqeviq: Pushteti i ri në Serbi do të rishikojë rolin e Listës Serbe
Miodrag Milliqeviq, drejtor i organizatës joqeveritare Aktiv, thekson se, në aspektin formal dhe ligjor, Lista Serbe është pjesë e sistemit politik të Kosovës. Për këtë arsye, rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk e ndryshojnë drejtpërdrejt statusin e saj.
Megjithatë, sipas tij, në praktikë situata është tjetër, pasi Lista Serbe ka vepruar si degë e Partisë Përparimtare Serbe në Kosovë.
Ndryshimi i pushtetit në Beograd, vlerëson ai, do të hapë pyetje të reja për mënyrën se si do të funksionojë kjo parti në të ardhmen.
“Sa i përket politikave, do të ketë hapësirë për një rishikim rrënjësor. Nuk e kam fjalën për ristrukturimin e Listës Serbe, por për një rishikim rrënjësor të politikës ndaj Kosovës, që do t’i përfshijë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Do të shtrohet pyetja nëse ata i kanë keqpërdorur pozitat e tyre në sistemin serb gjatë kohës kur në pushtet ishte Partia Përparimtare Serbe”, thotë Miliçeviq.
Ai beson se Kosova nuk është ndër temat kryesore të Listës Studentore, por pret që një pjesë e strukturave të saj të angazhohet me këtë çështje.
Sipas Milliqeviqit, gjatë viteve të fundit Beogradi i ka lënë serbët e Kosovës në një gjendje pasigurie ligjore dhe të sigurisë.
Shoqëria civile serbe në Kosovë e kishte kundërshtuar nismën e Listës Serbe për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në vitin 2022.
Po ashtu, ajo kishte kritikuar edhe veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat në shumicën e rasteve i kishte cilësuar si të njëanshme dhe diskriminuese.
Në vitin 2024, Qeveria e Kosovës filloi mbylljen e institucioneve të Serbisë dhe njoftoi se synon integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës. Arsyetimi ishte se funksionimi i dy sistemeve paralele nuk mund të qëndrojë.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që hapa të tillë të ndërmerren përmes dialogut dhe në konsultim me komunitetin serb. / REL





