Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, ka analizuar zhvillimet politike në Serbi dhe ndikimin që ato mund të kenë në rajonin e Ballkanit.
Sipas tij, largimi i Aleksandar Vuçiqit mund të hapë mundësinë për një ndryshim të politikës serbe dhe për t’i dhënë fund narrativës së urrejtjes, miteve të rreme dhe shovinizmit të trashëguar nga koha e Millosheviqit.
Të lidhura
None found
Megjithatë, Salihaj vlerëson se një përfundim i tillë nuk mund të merret ende si i sigurt, pasi këto narrativa janë ndërtuar dhe kultivuar për shekuj. Ai beson se studentët që kundërshtuan politikën e Vuçiqit mund të sjellin një qasje të ndryshme nga ajo e deritanishme.
“Mbetet për t’u parë nëse politika serbe do të ndryshojë drejtim dhe sa ndikim do të ketë kjo në Ballkan. Me humbjen e pinjollit të Millosheviqit, Vuçiqit, a do të marrë fund logjika e miteve dhe shovinizmit primitiv millosheviçian?
Nuk mund të arrijmë ende në një përfundim të tillë, duke pasur parasysh se narrativa serbe e urrejtjes dhe e miteve të rreme është kultivuar për shekuj. Rruga do të jetë e vështirë, por ndryshimi nuk është i pamundur. Studentët, të cilët si bartës të kësaj lëvizjeje luftuan kundër konceptit të Vuçiqit, nuk mund të jenë të njëjtë me të”, tha ai për “Bota sot”.
Salihaj nënvizoi se drejtimi i politikës së re serbe do të matet kryesisht përmes qëndrimit ndaj Kosovës dhe raporteve që do të mbajë me Rusinë dhe Bashkimin Evropian.
Ai tha se një qasje e re e Serbisë mund të kontribuojë në uljen e tensioneve rajonale dhe t’ua lehtësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor rrugën drejt integrimit evropian.
“Qëndrimi i strukturës së re politike serbe do të bëhet i qartë në dy çështje themelore: Kosovën dhe raportin me Rusinë, përkatësisht me BE-në. Serbia, e rrethuar nga vende të NATO-s, të BE-së dhe shtete proevropiane, nuk mund të vazhdojë gjatë të mbijetojë me politika proruse dhe me një qasje agresive ndaj fqinjëve. Nëse Serbia ndryshon realisht, do të krijohet një klimë tjetër, tensionet do të zbuten dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do ta kenë më të lehtë integrimin në Bashkimin Evropian. Historikisht, Serbia ka pasur rol destruktiv dhe e ka përgjakur Ballkanin. Nëse kjo do të ndryshojë, besoj se do ta kuptojmë shumë shpejt”, deklaroi ai.





