Më 22 tetor 2022, Arlinda Zekaj raportoi në Polici kunatin e saj, Albert Sylajn, të cilin e akuzoi për kanosje dhe uzurpim të shtëpisë që, sipas saj, ishte në bashkëpronësi me ish-bashkëshortin Jeton Sylaj. Për këtë rast, Albert Sylaj u intervistua nga Policia në cilësinë e dëshmitarit.
Sipas deklaratës së siguruar, Zekaj tha se pas vendimit të gjykatës për urdhër mbrojtje, të nxjerrë më 16 tetor, Alberti ishte vendosur në shtëpinë e saj së bashku me bashkëshorten, fëmijët dhe nënën e tij, pa marrë pëlqimin e saj.
Të lidhura
None found
“Poashtu asnjëherë më parë nuk kanë jetuar aty por vetëm nga marrja e aktvendimit për urdhër mbrojtje. Unë jam bashkëpronarë, këta më kanë uzurpuar shtëpinë, nuk mundem me bashkëjetu me mu e as mysafir s’mund të jenë, kunati Alberti më ka kërcënuar me fjalët “Largomu, largomu se tmys” në momentin kur kom dashtë të marrë digitronin e televizorit, nuk pom lejon të jetoj aty, as në kuzhinë të marrë buke apo ujë e as televizionin me shfrytëzu, ashtu siç është dëgju në stacion policor ku ka bërtitur në të njëjtën mënyrë më ka bërtitur edhe mua në shtëpi, plus me jetë po më kërcënon”, kishte deklaruar Zekaj më 22 tetor.
Ndërkohë, Albert Sylaj, i cili tashmë dyshohet për vrasjen e Arlinda Zekajt, i mohoi në deklaratën e dhënë në Polici akuzat për kanosje. Ai deklaroi se prej tre apo katër muajsh po qëndronte në shtëpinë e vëllait me lejen e tij.
Sylaj mohoi ta kishte kërcënuar Zekajn dhe pretendoi se ishte ajo që kishte nxitur situatën.
“..kam shikuar televizor dhe Arlinda ka filluar që të bëjë skena dramatike me qëllim që të na provojë familjarët e mi dhe mua, ku e njëjta kur unë e kam lëshuar klimën e njëjta e ka ndalë, dua të cek se përderisa fëmija ishin duke i bërë detyrat e shkollës ajo e ka hap dritaren fëmija ka fillu të narthin duke ju pamundësuar që të bëjnë detyrat e tyre, dhe pastaj kur unë e kisha telekomandën e televizorit duke shiku televizorin, e njëjta është qu dhe ka tentuar që ta marrë me zor telekomandën dhe unë nuk e kam lejuar ku i kam thënë më lërë rahat dhe mos më provoko, ku pastaj ka ardh nana ime dhe e ka marrë telekomandën ku ja ka jep Arlindës dhe kaq ka qenë aty, ku pastaj në shtëpi është paraqit patrulla policore”, ka thënë Sylaj.
Sinjali kishte raportuar më herët se, në aktvendimin e datës 16 tetor, gjyqtari Kastrati i kishte ndaluar Jeton Sylajt, bashkëshortit të Zekajt, që në shtëpinë ku jetonin të dy t’i afrohej asaj në një distancë më të vogël se 2 metra.
Vendimi përcaktonte gjithashtu që në rrugë, qytet, shkollë apo në vendin e punës, distanca duhej të ishte 20 metra.
“.. në distancë prej 2 metra në shtëpinë ku është duke qëndruar tani pala e mbrojtur, në rrugë, qytet, fshat, shkollë apo vendin e punës në distancë prej 20 metra, si dhe i NDALOHET në të ardhmen të ushtroj dhunë fizike dhe psiqike, të bllokojnë lëvizjen e viktimës, ofendojnë, shqetësojnë dhe kërcënojnë palën e mbrojtur”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga Sinjali.






