Limani: 100 kuponë për mamografi falas do t’u shpërndahen grave dhe vajzave në Gostivar gjatë “Tetorit Rozë

Me rastin e Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, të njohur si “Tetori Rozë”, Komuna e Gostivarit do të vërë në dispozicion 100 kuponë për mamografi falas për gratë dhe vajzat.

Të lidhura

None found

Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i cili nënvizoi se kontrollet periodike dhe zbulimi në fazat e hershme janë shumë të rëndësishme në përballjen me këtë sëmundje.

Limani tha se përmes kësaj nisme synohet mbështetja e grave dhe vajzave, si dhe nxitja e tyre për të kryer kontrolle të rregullta parandaluese. Ai theksoi se ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm kanë rol thelbësor në ruajtjen e shëndetit të grave.

Gjatë aktiviteteve të “Tetorit Rozë”, Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim me Shoqatën “Ezra”, zhvilloi edhe një punëtori informuese. Të pranishmet patën mundësi të marrin informacione dhe të diskutojnë me profesionistë të shëndetësisë për kancerin e gjirit, rëndësinë e ekzaminimeve dhe mënyrat e diagnostikimit të hershëm.

Në këtë takim kontribuuan dr. Miranda Izairi, specialiste e radiologjisë, dhe dr. Ilir Ismaili, onkolog. Ata ndanë këshilla dhe të dhëna mbi domosdoshmërinë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin.


Shtuar më 13.10.2026 21:56