Shala: Brenda 8 ditësh presidentja mund të dekretojë ligjin për Specialen ose ta rikthejë në Kuvend

Afati që presidentja ka në dispozicion për nënshkrimin apo dekretimin e ligjit për Specialen është 8 ditë, ka shpjeguar avokati Hasan Shala. Gjatë emisionit “Ditari” në Tëvë1, ai tha se shqyrtimi nga presidentja dhe zyra e saj ligjore mund të çojë edhe në rikthimin e ligjit në Kuvend, nëse evidentohen parregullsi ose dispozita në kundërshtim me Kushtetutën.

Të lidhura

None found

Sipas shpjegimit të Shalës, rruga e zakonshme procedurale parashikon që, pas dekretimit, ligji të publikohet në Gazetën Zyrtare. Megjithatë, në rast se presidentja dhe zyra ligjore konstatojnë çështje që nuk janë në rregull, ajo mund t’ia dërgojë sërish Parlamentit, bashkë me vërejtje e sugjerime, në mënyrë që deputetët t’i korrigjojnë ose t’i rregullojnë ato.

Avokati ngriti shqetësime edhe për vështirësitë që, sipas tij, mund të shfaqen gjatë zbatimit të ligjit. Ai vlerësoi se roli i Zyrës së Gjykatës Kushtetuese në Hagë dhe ai i Gjykatës Kushtetuese mund të sjellin paqartësi e mospërputhje në shqyrtimin e kushtetutshmërisë, për shkak të dy anëve të vlerësimit të këtyre ligjeve.

Në këndvështrimin e Shalës, Zyra e Gjykatës Kushtetuese në Hagë nuk ka të drejtë dhe as kompetencë të vlerësojë ligjin në tërësi, si për formën, ashtu edhe për përmbajtjen. Ai sqaroi se kjo zyrë mund të shqyrtojë vetëm ligjshmërinë ose kushtetutshmërinë e një dispozite, duke vënë në pikëpyetje kompetencat e saj në raport me të gjithë ligjin.

Sa u përket ndryshimeve ligjore, Shala theksoi se ato duhej të ishin realizuar në bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë.


Shtuar më 13.10.2026 19:37