BDI-ja deklaron se Komisioni Evropian ka njoftuar për përgatitjen e udhërrëfyesve drejt anëtarësimit për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk figuron në këtë listë.
Të lidhura
None found
Sipas partisë, vendi dikur renditej si i pari në rajon, por tashmë ka mbetur pas, ndërkohë që shtetet e tjera kanë avancuar.
BDI-ja e lidh këtë situatë drejtpërdrejt me politikat e Qeverisë, e cila, sipas saj, gjatë dy viteve nuk ka ofruar zgjidhje, nuk ka hapur kapituj dhe nuk ka ndërmarrë hapa përpara, por është fokusuar te arsyetimet, përplasjet dhe fajësimi i të tjerëve.
Partia vlerëson se pasojat e këtij qëndrimi tashmë po bëhen të dukshme, pasi vendet e tjera do të kenë plane, afate dhe mundësi më të mëdha për të përfituar nga fondet dhe tregu evropian. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut, sipas BDI-së, po largohet nga grupi i vendeve që po avancojnë drejt anëtarësimit.
BDI-ja kërkon nga Qeveria t’u japë qytetarëve përgjigje për arsyet e përjashtimit nga lista, planin që do të ndiqet dhe koston që ky bllokim do t’i shkaktojë vendit.
“Përgjegjësia është e Qeverisë. Ajo mori përsipër një shtet me një proces të hapur dhe po e lë pa drejtim, pa afat dhe jashtë hartës së zgjerimit. Evropa po avancon, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara. Vetëm Maqedonia e Veriut po mbahet peng nga kjo Qeveri”, shprehen nga BDI./Telegrafi/







