Një turiste 44-vjeçare nga El Salvadori u gjet e gjallë pas afro 12 orësh në ujërat e detit Jon, pas rënies nga një kroçerë. Mbijetesa e saj u bë e mundur falë ndërhyrjes së Rojës Bregdetare greke dhe një fati të jashtëzakonshëm.
Ngjarja ndodhi rreth 72 milje detare në veriperëndim të ishullit të Zakinthosit. Kroçera me flamur të Bahamas, në të cilën udhëtonte gruaja, dha sinjalin SOS gjatë natës së kaluar, pasi pasagjerja kishte rënë në det.
Të lidhura
None found
Pas alarmit u vu menjëherë në lëvizje operacioni i kërkim-shpëtimit. Megjithatë, errësira e natës e bëri shumë të vështirë gjetjen e saj, raporton korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe.
Pak para zbardhjes së ditës, ekipet e Rojës Bregdetare greke, në bashkëpunim me anijen e mallrave MSC Rozella, e cila ishte angazhuar në kërkime, arritën ta gjenin 44-vjeçaren të gjallë.
Në operacion u përfshinë edhe helikopterë dhe anije të tjera që lundronin në atë zonë.
Pas shpëtimit, gruaja u dërgua në spital me shenja hipotermie, pasi kishte kaluar rreth 12 orë në ujërat e detit Jon. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për të sqaruar rrethanat e rënies së saj në det.
Shpëtimi i 44-vjeçares në errësirë të plotë, në një distancë prej më shumë se 70 miljesh detare nga bregu, konsiderohet një rastësi e jashtëzakonshme dhe një sukses i operacionit të kërkim-shpëtimit.
Gruaja deklaroi se do t’u ishte mirënjohëse gjatë gjithë jetës shpëtuesve që e nxorën të gjallë nga ujërat e detit Jon.



