Një incident në bordin e një avioni të kompanisë indiane IndiGo shkaktoi panik te pasagjerët, pasi një power bank u përfshi nga flakët gjatë fluturimit.
Për shkak të situatës, ekuipazhi vendosi të ndryshojë drejtimin e avionit, i cili përfundoi duke kryer një ulje emergjente në Hyderabad të Indisë.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua të dielën, më 11 tetor, në fluturimin 6E6115 që ishte nisur nga Delhi me destinacion Chennai-n. Avioni ishte i modelit Airbus A321-251N.
Video të publikuara në rrjetet sociale shfaqin disa udhëtarë duke tentuar të ndalojnë përhapjen e flakëve, duke mbuluar baterinë me çantat e tyre. Mediat indiane raportuan se pjesëtarët e ekuipazhit reaguan menjëherë dhe fikën zjarrin me aparatet kundër zjarrit.
IndiGo njoftoi se devijimi drejt Hyderabadit u bë pasi nga pajisja elektronike personale e një pasagjeri nisi të dilte tym. Pilotët zbatuan protokollet e sigurisë dhe avioni u ul pa probleme në Aeroportin Ndërkombëtar Rajiv Gandhi.
Asnjë pasagjer apo pjesëtar i ekuipazhit nuk pësoi dëmtime dhe të gjithë ndodhen jashtë rrezikut. Sipas kompanisë, udhëtimi drejt Chennai-t do të vijojë me një avion tjetër.
IndiGo u kërkoi ndjesë pasagjerëve për shqetësimin e krijuar dhe bëri të ditur se po ndërmerr hapa për të kufizuar vonesat. Udhëtarëve iu ofruan pije freskuese, ndërsa kompania theksoi se siguria e tyre dhe e ekuipazhit është përparësia kryesore.




