Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, priti në takim deputeten e pavarur të Shkodrës, Marjana Koçeku, gjatë vizitës që një delegacion i Kongresit Amerikan po zhvillon në Shqipëri.
Biseda u zhvillua në praninë e senatorëve amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, si pjesë e takimeve të ambasadorit me përfaqësues të politikës shqiptare. Në fokus ishin zhvillimet politike dhe institucionale në vend.
Të lidhura
None found
Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste dhe vijon ushtrimin e mandatit si deputete e pavarur, ishte një nga përfaqësuesit e opozitës të ftuar nga Ambasada Amerikane për këtë diskutim.
Vizita e delegacionit amerikan në Ballkanin Perëndimor zhvillohet me vëmendje te siguria rajonale, integrimi euroatlantik, bashkëpunimi me NATO-n dhe forcimi i shtetit të së drejtës.
Gjatë qëndrimit të senatorëve në Shqipëri, ambasadori Eric Wendt i shoqëroi ata në takimet me Presidentin Bajram Begaj, drejtuesit e SPAK-ut dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në takimet me përfaqësuesit e opozitës ishin të pranishëm edhe deputetët Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, si dhe kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.
Pas përfundimit të vizitës në Tiranë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin do të vijojnë udhëtimin drejt Kosovës, ku pritet të takohen me përfaqësues të institucioneve dhe të politikës vendase.





