Hyrja në Kalanë e Shkupit do të jetë me pagesë pasi lokaliteti të rregullohet plotësisht dhe të vihet në funksion. Këtë e bëri të ditur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Të lidhura
None found
Punimet për përmirësimin e Kalasë pritet të nisin këtë vit, ndërsa nëse zbatimi i planit ecën siç parashikohet, lokaliteti do të ketë një pamje të re gjatë vitit të ardhshëm.
Mickoski sqaroi se pagesa nuk do të aplikohet tani, por vetëm pasi Kalaja të hapet pas përfundimit të rregullimit, duke theksuar se kjo është një praktikë e zakonshme në shumë vende të botës.
Sipas tij, gjendja aktuale dhe ndërhyrjet hortikulturore të realizuara deri më tani nuk e shfrytëzojnë në masën e duhur potencialin e një prej lokaliteteve historike më të rëndësishme të Shkupit.
Qeveria do të ofrojë mbështetje financiare dhe logjistike për rregullimin e Kalasë dhe kthimin e saj në një atraksion turistik më të rëndësishëm.
Plani parashikon gjithashtu përfshirjen e lokalitetit në programin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”.







