Panamaja u godit ditën e djeshme nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesa dhe infrastrukturën rrugore. Presidenti José Raúl Mulino e cilësoi situatën si “një katastrofë të madhe”.
Sipas pamjeve nga zonat e prekura, dëmtime janë shkaktuar në banesa, ndërtesa publike dhe objekte infrastrukturore. Ndërkohë, ndërprerje të energjisë elektrike u raportuan në gjashtë provinca të vendit.
Të lidhura
None found
Presidenti Jose Raul Mulino deklaroi se disa ndërtesa u shembën dhe se pjesë të rrjetit rrugor pësuan dëmtime të rënda. Ai veçoi rrugët që, sipas tij, “u shembën plotësisht” në zonat më të prekura nga lëkundjet.
Vlerësimet fillestare të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS) e përcaktuan tërmetin me magnitudë 7.7 ballë sipas shkallës Rihter dhe me një thellësi fokale prej rreth 12.6 kilometrash. Autoritetet panameze, ndërkohë, e vlerësuan magnitudën në 7.2.
Megjithëse dëmet ishin të konsiderueshme, Kanali i Panamasë vijoi funksionimin normal. Edhe Aeroporti Ndërkombëtar Tocumen mbeti në operim, por u vendos në gatishmëri emergjente dhe nisi t’i nënshtrohej inspektimeve.
Shtetet e Bashkuara njoftuan se po mobilizonin personel dhe burime për të ofruar ndihmë. Autoritetet panameze u kërkuan qytetarëve të ruanin qetësinë, ndërsa lëkundjet vijonin.
Deri dje në mbrëmje nuk ishte raportuar asnjë viktimë. Shërbimet kompetente vazhduan evidentimin e dëmeve dhe kontrollet në zonat e prekura.





