Albulena Haxhiu kërkon hetim të plotë pas vrasjes së dyfishtë në Gjilan

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Livoç të Gjilanit, ku u vranë një grua dhe një burrë, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.

Të lidhura

None found

Haxhiu u shprehu ngushëllimet e saj familjeve të viktimave dhe tha se lajmi e ka tronditur, transmeton IndeksOnline.

Ajo kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të zhvillojnë një hetim profesional, të paanshëm dhe tërësor, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Haxhiu gjithashtu uroi që personi i plagosur të shërohet sa më shpejt dhe plotësisht, ndërsa theksoi nevojën që familjet e prekura të marrin mbështetjen e duhur, duke iu respektuar privatësia dhe dinjiteti.

“Më tronditi lajmi për vrasjen e një gruaje dhe një burri në Livoç të Ulët të Gjilanit, si dhe plagosjen e një personi tjetër. Dy jetë të humbura dhunshëm dhe familje që sot po përballen me një dhimbje të madhe.

Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllimet më të sinqerta, ndërsa të plagosurit i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë.

Pres nga institucionet përgjegjëse që të zhvillojnë një hetim të plotë, të paanshëm dhe profesional, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e këtij krimi dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Në këto momente të rënda, familjeve të prekura duhet t’u ofrohet gjithë mbështetja e nevojshme, duke respektuar privatësinë dhe dinjitetin e tyre.”


Shtuar më 9.10.2026 18:38