Autoritetet franceze kanë gjetur dy piktura të Auguste Renoir, me një vlerë të përllogaritur nga 8 deri në 10 milionë euro, të grabitura në fillim të shtatorit nga muzeu që ndodhet në rezidencën e fundit të artistit, në jug të Francës.
Veprat “Madame Colonna Romano” dhe “Jeune femme au puits” u zbuluan të enjten, më 8 tetor, pas një aksioni policor të zhvilluar në disa zona të vendit. Sipas BFMTV, gjatë operacionit u vunë në pranga gjashtë persona.
Të lidhura
None found
Ngjarja kishte ndodhur më 8 shtator. Dy autorë depërtuan në muze pasi çanë gardhin metalik të kopshtit dhe hynë në godinë, prej nga tentuan të merrnin katër piktura. Megjithatë, dy prej tyre u lanë pas gjatë largimit, pasi policia mbërriti në vendngjarje.
Në shënjestër të grabitësve ishin disa nga veprat më të çmuara të koleksionit të muzeut: “Coco Lisant”, “Portrait de madame Stephen Pichon”, “Madame Colonna Romano” dhe “Jeune fille au puits”.
Vlera e dy pikturave të rikuperuara llogaritet nga 8 deri në 10 milionë euro, bëri të ditur një burim pranë hetimit për BFMTV.
Një ditë pas vjedhjes, kryebashkiaku i qytetit, Brian Masson, deklaroi se autorët kishin vepruar në mënyrë të organizuar dhe se ishin të pajisur me informacion të detajuar.
“Ata ishin profesionistë të vërtetë. Mbanin helmeta, doreza dhe maska, si dhe ishin shumë të informuar”, u shpreh ai për BFMTV.
Sipas Masson, grabitësit përdorën një sharrë hekuri për t’i shkëputur pikturat nga vendet ku ishin vendosur dhe e përfunduan ndërhyrjen brenda më pak se pesë minutash.
Hetimi vijon për veprat penale të vjedhjes në kuadër të një grupi të organizuar dhe krijimit të një grupi kriminal me synim kryerjen e krimeve të tilla. Prokuroria po shqyrton rolin e të arrestuarve dhe nëse ata kanë lidhje me grabitjen.



