Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes ku përfshihen dy të rinj, 21 dhe 23 vjeç, të cilët, sipas rrëfimeve të tyre, janë dhunuar brutalisht nga policia.
Të lidhura
None found
Nga BDI kërkohet një hetim i menjëhershëm, i paanshëm dhe transparent për të ndriçuar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të vendosur përgjegjësi për çdo shkelje të mundshme nga zyrtarët policorë. Sipas tyre, heshtja dhe mungesa e llogaridhënies nuk janë opsion.
Sipas raportimeve, në raportin e brendshëm policor pretendohet se të rinjtë i kanë marrë pistoletën një efektivi, ndërsa ata vetë deklarojnë se arma ka përfunduar në veturë pasi policia ua ka thyer xhamin. Të rinjtë po ashtu pohojnë se policët kanë shtënë me armë, u kanë shpuar gomat e veturës dhe më pas i kanë rrahur, pasi i kanë lidhur dhe shtrirë në tokë.
BDI kërkon dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe marrjen e përgjegjësisë së plotë institucionale për këtë rast. Ata theksojnë se të drejtat dhe dinjiteti i qytetarëve nuk mund të shkelen nga ata që e kanë për detyrë t’i mbrojnë.






