Menaxheri i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Bajram Shala, ka treguar se Federata Shqiptare ka synuar të afrojë mbrojtësin Dion Gallapeni, ndërsa ka tentuar gjithashtu të bindë përzgjedhësin Franco Foda.
Të lidhura
None found
Gjatë një podcasti për “Telesport”, Shala e cilësoi si “vjedhje” përpjekjen e Shqipërisë për ta marrë Gallapenin.
“Shqipëria ka qenë shumë pranë vjedhjes së Dion Gallapenit. Mund të tingëllojë si një fjalë e rëndë, por kështu mund të përkufizohet, pasi ai ka lindur dhe është rritur në Kosovë, ndërsa ka luajtur për grupmoshat e Kosovës deri në U21. Shqipëria u përpoq deri në fund që të na e merrte”, u shpreh ai.
Shala bëri të ditur se nga Shqipëria është kontaktuar edhe trajneri gjerman Franco Foda, por ky i fundit zgjodhi të qëndronte në Kosovë, edhe për shkak të mënyrës së lojës së përfaqësueses.
“Trajneri Franco Foda ka marrë shumë oferta, përfshirë edhe propozime të rëndësishme, por ka vendosur të vazhdojë me ne. Ai do të largohej vetëm nëse do të vinte një ofertë mjaft joshëse dhe kundrejt një dëmshpërblimi të rëndësishëm. Edhe nga Shqipëria i kanë thënë: ‘Eja, shiko Tiranën, stadiumin e bukur’, duke tentuar ta joshin në mënyrë indirekte. Megjithatë, ai e ka marrë vendimin e tij dhe ka zgjedhur edhe futbollin që luan Kosova”, deklaroi Shala.
Gjatë të njëjtit emision, menaxheri i FFK-së njoftoi se tre futbollistë të rinj kanë zgjedhur Kosovën dhe pritet t’i bashkohen ekipit së shpejti.




