Hyseni: Zgjedhja e Shiroka-Pulës presidente u bë brenda afateve kushtetuese

Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, vlerëson se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës nuk bie ndesh me Kushtetutën.

Të lidhura

None found

Sipas tij, procedura e zhvilluar për zgjedhjen e presidentes është realizuar brenda afateve të përcaktuara kushtetuese.

Duke folur për këtë proces, Hyseni tha se në sistemin parlamentar marrëveshjet politike mund të arrihen në cilëndo fazë, madje edhe në momentet e fundit të një afati.

Ai theksoi se ajo që ka rëndësi nuk është nëse dakordimi është arritur në fillim, në mes apo në fund të afatit, por fakti që është siguruar një marrëveshje e plotë dhe shumica e lartë e kërkuar nga Kushtetuta.

Hyseni tha se me zgjedhjen e presidentes është krijuar një rrethanë e re institucionale, ndërsa Justina Shiroka-Pula e ka marrë zyrtarisht mandatin që nga çasti i zgjedhjes.

Ai e konsideroi këtë proces si hapin përmbyllës të formimit të institucioneve qendrore shtetërore, pas konstituimit të Legjislaturës së 11-të dhe krijimit të Qeverisë.

“Jemi brenda afateve”, deklaroi Hyseni në RTK Prime, duke shtuar se Kushtetuta mbetet akti kryesor në hierarkinë e akteve juridike në fuqi.


Shtuar më 7.10.2026 21:54