Maricarmen Abascal, 87 vjeçe, ka ndërruar jetë pasi u bë një prej figurave simbolike të krizës së strehimit në Spanjë. Ajo u dëbua nga apartamenti ku kishte jetuar për më shumë se 70 vjet.
Të lidhura
None found
Lajmin e konfirmoi Sindikata e Qiramarrësve të Madridit, e cila theksoi se rasti i Abascal kishte shkaktuar reagime të fuqishme publike dhe protesta në mbarë vendin.
Më 23 shtator, gruaja e moshuar u nxor me forcë nga banesa e saj, e vendosur mbi një barelë, pasi nuk mund të përballonte më rritjen e qirasë.
Për shkak të një problemi ligjor, pronari kishte mundur ta rriste pagesën mujore nga 500 euro në 2,650 euro. Edhe pse më pas qiraja u reduktua në 1,650 euro, kjo shumë ishte rreth 300 euro më e lartë se pensioni mujor i Abascal.
Pas dëbimit, kompania pronare e apartamentit propozoi që 87-vjeçarja të rikthehej në shtëpi me një qira më të ulët. Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua, pasi Abascal ishte shtruar në spital.
“Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen ndërroi jetë sot”, deklaroi Sindikata e Qiramarrësve të Madridit, duke e përshkruar historinë e saj si “një pikë kthese në historinë e këtij vendi”.
Dëbimi i saj shkaktoi zemërim të gjerë dhe e ktheu rastin në një nga simbolet më të forta të krizës së strehimit në Spanjë. Protestat rritën trysninë ndaj qeverisë së koalicionit të kryeministrit Pedro Sánchez për miratimin e masave emergjente, por projektligjet u rrëzuan më vonë në Kongres.
Pas rrëzimit të këtyre nismave, dhjetëra mijëra qytetarë protestuan në qytetet spanjolle, duke kërkuar masa kundër rritjes së kostove të banesave dhe mbrojtje më të madhe për qiramarrësit.
Sindikata e Madridit deklaroi se marrëveshja që do t’i jepte Abascal mundësinë të kthehej në banesën e saj u arrit tepër vonë.
“Një situatë krejtësisht e shmangshme pas një procesi torturues”, u shpreh organizata, duke shtuar se çmimi i paguar për të arritur deri në këtë pikë “ishte shumë i lartë”.
Pas njoftimit për vdekjen e 87-vjeçares, protestuesit u mblodhën në Puerta del Sol, një prej shesheve kryesore të Madridit, që prej ditësh ishte kthyer në qendër të tubimeve kundër krizës së strehimit.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i përcolli ngushëllimet familjes së Maricarmen Abascal.







