Nga Shkozet në Elbasan dhe kthimi fatal në Durrës, si u ndoq hap pas hapi Ergys Agasi deri në pranga

Detaje të reja nga operacioni i Policisë së Shtetit kanë hedhur dritë mbi arrestimin e Ergys Agasit, të cilin SPAK e akuzon si drejtues të një grupi të strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI-it.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, në orët e fundit para arrestimit Agasi është monitoruar në mënyrë të pandërprerë nga strukturat e rendit. Vëzhgimi është kryer kryesisht përmes dronëve, të cilët kanë regjistruar pamje video dhe fotografike të lëvizjeve të tij.

Të lidhura

None found

Ai u evidentua në mëngjesin e 26 gushtit në zonën e Shkozetit, në Durrës. Pak para mesditës, u largua nga kompleksi i vilave me një automjet luksoz dhe mori drejtimin për në Elbasan.

Itinerari i automjetit u ndoq dhe u dokumentua në kohë reale nga inteligjenca policore. Gjatë kthimit, shërbimet e policisë i prenë rrugën në zonën e Plepave, në Durrës, ku arrestuan Ergys Agasin. Në të njëjtin automjet u prangos edhe ish-zyrtari i policisë, Ulian Shpataraku.

Monitorimi minutë pas minute i lëvizjeve të Ergys Agasit nga Durrësi drejt Elbasanit

Ora 11:39: Nga ambientet e katit të dytë të kompleksit të vilave u pa të dilte një person, i dyshuar se ishte Ergys Agasi. Ai kishte veshur një bluzë të bardhë dhe pantallona të zeza treçerekëshe. Personi vijoi lëvizjen drejt hollit në katin e parë dhe më pas hyri në ambientet e brendshme të kompleksit.

Ora 11:59: Gjatë vëzhgimit u konstatua hyrja në kompleks e një automjeti Audi A6, me portobagazh dhe ngjyrë të zezë. Pasi kaloi portën kryesore, automjeti vijoi drejt parkimit nëntokësor të kompleksit të vilave. Për shkak të xhamave të errësuar, nuk u bë i mundur identifikimi i personave që ndodheshin brenda tij.

Ora 12:02: Vëzhgimi me dron evidentoi daljen e automjetit Audi A6 nga parkimi nëntokësor. Në sediljen e përparme, në krah të drejtuesit, u pa një person me bluzë të bardhë. Duke u bazuar në të dhënat e disponuara dhe rrethanat e vërejtura, ai dyshohej të ishte Ergys Agasi, i ulur në vendin e pasagjerit. Pas komunikimit me oficerin, automjeti u mbajt nën vëzhgim për vijimin e veprimeve të mëtejshme.

Ora 12:03: Audi A6 i zi, me targa AB323JK, u largua pa ndalesë nga kompleksi i vilave. Automjeti kaloi në drejtim të Nishtullës dhe rrethrrotullimit të Shkozetit, vijoi drejt Plepave dhe më pas përshkoi rrugët pranë shinave të trenit, të cilat e nxjerrin në rrugën e Plazhit në Durrës. Pasi arriti në zonën e Plepave, vazhdoi në autostradë, në drejtim të Kavajës, Rrogozhinës, Peqinit dhe Elbasanit.

Ora 13:35: Pasi kaloi rrethrrotullimin e Bradasheshit, automjeti me targa AB323JK vijoi në rrugën “Kadri Hoxha”. Pranë tregut agroushqimor, ai u kthye në një rrugicë në të djathtë. Pas komunikimit me oficerin, Audi A6 nuk u mbajt më në vëzhgim, ndërsa grupet e monitorimit u pozicionuan pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit.

Ora 18:16: Automjeti Audi A6 me targa AB323JK u konstatua duke dalë nga rruga “Kadri Hoxha”. Ai vijoi pa ndërprerje nga rrethrrotullimi i Bradasheshit drejt autostradës, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe Kavajës. Pranë zonës së Plepave, në bashkëpunim dhe koordinim me shërbimet e tjera me uniformë të Drejtorisë Vendore Durrës, u bë ndalimi i automjetit që ishte mbajtur nën vëzhgim.

Pas kontrollit të automjetit Audi A6, ngjyrë e zezë, me targa AB323JK, u konstatua se në sediljen e përparme ndodhej Ergys Agasi. Në drejtimin e mjetit ishte një person tjetër, i cili pas verifikimit rezultoi të ishte shtetasi Uljan Shpataraku.


Shtuar më 7.10.2026 16:51