Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj pretendimeve të partnerëve ndërkombëtarë se amendamentet që lidhen me Dhomat e Specializuara mund të bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
OVL-UÇK i ka quajtur këto pretendime “të paqëndrueshme dhe të papranueshme”. Sipas organizatës, detyrimet ndërkombëtare nuk mund t’i nxjerrin institucionet e Kosovës jashtë rendit kushtetues, mbikëqyrjes demokratike dhe llogaridhënies.
Në deklaratë thuhet se Dhomat u themeluan për të trajtuar pretendime të caktuara të dala nga raporti i Dick Martyt, por se mandati dhe veprimtaria e tyre, sipas OVL-UÇK-së, janë larguar nga ky synim. Organizata vlerëson se drejtësia selektive është shndërruar në një aktakuzë të zgjatur ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj.
OVL-UÇK thekson se institucionet e Kosovës kanë detyrimin të mbrojnë sovranitetin e shtetit, barazinë para ligjit dhe dinjitetin e atyre që, siç shprehet ajo, fituan lirinë e Kosovës.
Organizata u kërkon partnerëve ndërkombëtarë të përballen me atë që e cilëson si devijim të mandatit të Dhomave të Specializuara, në vend që të kundërshtojnë nismat e Kuvendit.
“Partnerët tanë duhet të përballen me këtë devijim dhe jo të pengojnë veprimin e ligjshëm parlamentar që e korrigjon atë”, thuhet në reagim.
