Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitet 2026–2027 është aprovuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Buxheti i parashikuar për këtë program është rreth 15 milionë euro, shumë e cila do të përdoret për të subvencionuar faturat e energjisë elektrike të konsumatorëve të cenueshëm.
Të lidhura
None found
Qëllimi i kësaj nisme është përkrahja e ekonomive familjare që bëjnë pjesë në sistemin e mbrojtjes sociale, me qëllim që energjia elektrike, si një shërbim thelbësor, të jetë e qasshme në mënyrë më të barabartë për këto kategori, transmeton “Bota sot”.
Ndihma financiare do të realizohet nëpërmjet subvencionimit të faturave të energjisë elektrike. Sipas ministrisë, kjo është ndër format më të drejtpërdrejta për t’u ardhur në ndihmë konsumatorëve të cenueshëm.
Vendimi që do të përcaktojë kushtet dhe kriteret e përfitimit pritet të firmoset në ditët në vijim, kurse më pas do të shpallet thirrja për aplikim për familjet që i përmbushin ato kritere.
Në njoftim theksohet gjithashtu se Kosova ka marrë përsipër obligime në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Në këtë plan parashikohet krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, përfshirë ngritjen dhe mirëmbajtjen e një regjistri funksional për ta.
