Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përshëndetur zhvillimet e fundit politike në Kosovë pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes.
Të lidhura
None found
“Presidente Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, urime për përgjegjësinë e re dhe detyrën e lartë shtetërore! Ju uroj shumë sukses, urtësi dhe arritje në ushtrimin e këtij misioni të rëndësishëm në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, shkroi Ahmeti në një postim në rrjetet sociale.
Ai i uroi presidentes së re mbarësi në detyrë, duke vlerësuar njëkohësisht se institucionet e Kosovës treguan pjekuri politike dhe përgjegjësi shtetërore.
Sipas Ahmetit, autoritetet kosovare arritën të kapërcejnë krizën politike pa e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare.
Kreu i BDI-së nënvizoi gjithashtu se stabiliteti institucional dhe interesi i qytetarëve duhet të kenë përparësi ndaj interesave partiake.
“Stabiliteti institucional, përqendrimi te zgjidhjet që i ofrojnë të ardhme më të mirë qytetarëve dhe vendosja e interesit shtetëror e qytetar mbi atë partiak duhet të jenë gjithmonë udhërrëfyes për autoritetet politike të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
