Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se procesi i zgjedhjes së presidentit dhe mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së përbëjnë dy çështje të veçanta.
Të lidhura
None found
Megjithatë, ai theksoi se Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë katër ish-krerët e UÇK-së në apelimin e dënimeve me burgim për krime lufte, të dhëna në shkallë të parë nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, nëse nuk zgjedh presidentin e ri. Kurti rikujtoi se afati për zgjedhjen e tij përfundon sonte në mesnatë.
“Ne besojmë se për katër të dënuarit duhet të ketë korrigjim në Apel. Paralelisht, vendit i nevojitet një strategji shtetërore dhe kombëtare. Nëse presidenti nuk zgjidhet, atëherë shkojmë drejtpërdrejt në zgjedhje, por kjo nuk do të jetë pasoja e vetme. Një situatë e tillë do ta kufizonte edhe mundësinë për t’u marrë me strategjinë shtetërore dhe çështjen e apelit”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, Kosova nuk mund ta shtyjë trajtimin e kësaj çështjeje për vitin e ardhshëm, pasi duhet të merret me të brenda këtij muaji.
“Pa president, Kosova rrezikon që sot të mbetet për muaj të tërë në zgjedhje dhe pa institucione funksionale. Për këtë arsye, zgjedhja e presidentit është një çështje emergjente”, përfundoi ai.
