Mbrojtja e Artan Grubit ka paraqitur një garanci prej 335.707 eurosh, duke kërkuar heqjen e masës shtesë të kujdesit, njoftoi Gjykata Penale. Grubi, i akuzuar në çështjen që lidhet me Lotarinë Shtetërore, ka ofruar pasuri të paluajtshme si garanci. Përveç arrestit shtëpiak, ndaj tij është vendosur edhe sekuestrimi i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit, si dhe ndalimi i pajisjes me pasaportë apo dokumente të tjera që mundësojnë kalimin e kufirit shtetëror.
Të lidhura
None found
Sipas propozimit të mbrojtjes, masa e sekuestrimit duhet të zëvendësohet me garanci, në bazë të nenit 150 të Ligjit për Procedurën Penale. Pasuria e paluajtshme e ofruar ka vlerë 335.707 euro dhe, sipas arsyetimit të mbrojtjes, do të sigurojë që i pandehuri të jetë i disponueshëm për organet e ndjekjes gjatë procesit penal, bëri të ditur Gjykata Penale.
Gjykata Themelore Penale informoi se aktakuza mbi të cilën është regjistruar çështja u dorëzua më 13 gusht 2026. Neni 470 i Ligjit për Procedurën Penale përcakton se paraburgimi mund të zgjasë deri në 60 ditë nga momenti i dorëzimit të aktakuzës. Për rrjedhojë, masa e arrestit shtëpiak ndaj Artan Grubit skadon më 13 tetor 2026, në përputhje me afatin ligjor.
Megjithatë, sekuestrimi i dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i lëshimit të dokumenteve për kalimin e kufirit shtetëror, si masa shtesë sigurie, mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të afatit 60-ditor. /SHENJA/
