Nëse projektligji i reformës së re administrativo-territoriale siguron 84 votat e kërkuara në seancën plenare të së enjtes, numri i bashkive në Shqipëri do të ulet nga 61 në 46. Dokumenti i miratuar nga Komisioni i Ligjeve propozon bashkimin e 15 bashkive ekzistuese me njësi më të mëdha, ndërsa ndarja territoriale e qarqeve mbetet e pandryshuar.
Plani i ri parashikon gjithashtu një riorganizim të qendrave urbane. Sipas hartës së propozuar, vendi do të ketë 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, gjashtë zona janë përfshirë në listën e qendrave që do të marrin statusin e qytetit.
Të lidhura
None found
Pesëmbëdhjetë bashkitë që do të shkrihen janë Fushë-Arrëzi, e cila do t’i bashkohet Bashkisë Pukë; Klosi, që do të përfshihet në Bashkinë Mat; Rrogozhina, e cila do të bashkohet me Bashkinë Kavajë; Dimali dhe Poliçani, që do t’i kalojnë Bashkisë Berat; Patosi, që do të përfshihet në Bashkinë Fier; si dhe Divjaka, e cila do të bashkohet me Bashkinë Lushnjë.
Në të njëjtën listë janë edhe Selenica, që do t’i bashkohet Bashkisë Vlorë; Maliqi, që do të përfshihet në Bashkinë Korçë; Këlcyra, që do të bashkohet me Bashkinë Përmet; Memaliaj, që do të përfshihet në Bashkinë Tepelenë; Libohova, që do t’i bashkohet Bashkisë Gjirokastër; Cërriku dhe Belshi, që do të përfshihen në Bashkinë Elbasan; si dhe Përrenjasi, që do të bashkohet me Bashkinë Librazhd.
Ndryshime parashikohen edhe në klasifikimin e disa zonave urbane. Nëse reforma miratohet, statusin e qytetit do ta marrin Kastrati në Bashkinë Malësi e Madhe, Bushati në Bashkinë Vau i Dejës, Ulza në Bashkinë Mat, Krasta në Bashkinë Bulqizë, Miloti në Bashkinë Kurbin dhe Golemi në Bashkinë Kavajë.
Pas riorganizimit, Bashkia Kurbin do të përfshijë qytetet Laç, Mamurras dhe Milot. Ndërkohë, në Bashkinë Kavajë, pas bashkimit me Rrogozhinën, do të bëjnë pjesë Kavaja, Rrogozhina dhe Golemi.
Bashkia do të vijojë të jetë njësia kryesore e vetëqeverisjes vendore. Struktura e propozuar parashikon 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative, ndërsa qarqet nuk do të pësojnë ndryshime.
Projektligji është miratuar tashmë në Komisionin e Ligjeve dhe pritet të hidhet për votim në seancën plenare të 8 tetorit. Për miratimin e tij nevojiten 84 vota.
