Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, ku u nderuan Adem Beqiri, Idriz Rrecaj dhe Salih Mëziu, pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Haxhiu deklaroi se, pas 27 vitesh kërkimesh, familjet e tre viktimave kanë marrë më në fund përgjigje për fatin e të afërmve të tyre, të cilët tani mund të prehen në paqe.
Të lidhura
None found
Sipas saj, më 19 prill 1999, forcat serbe rrëmbyen 23 civilë shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica. Të ndaluarit u morën në Melajë dhe në Kalludër të Vogël, ku u keqtrajtuan dhe u ekzekutuan, ndërsa trupat e tyre u fshehën me qëllim zhdukjen e gjurmëve të krimit.
Gërmimet e kryera në Kalludër dhe Jabukë, së bashku me rezultatet e analizave të ADN-së, bënë të mundur identifikimin e Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut. Ata u gjetën në varre pa emër, por tashmë do të prehen me identitetin e tyre dhe familjet do të kenë një vend ku mund t’i përkujtojnë e nderojnë.
Haxhiu shprehu mirënjohje për të gjithë personat që kontribuuan në gjetjen dhe identifikimin e tyre, duke theksuar se procesi i kërkimit duhet të vijojë për 20 anëtarët e tjerë të grupit, si dhe për çdo person të zhdukur me dhunë.
Ajo nënvizoi se familjet kanë të drejtë ta dinë të vërtetën dhe se krimet e luftës duhet të ndëshkohen. Në fund, familjeve Beqiri, Rrecaj dhe Mëziu u përcolli ngushëllimet e saj më të sinqerta.
“I përjetshëm qoftë kujtimi i Adem Beqirit, Idriz Rrecajt dhe Salih Mëziut, si dhe i të gjithë të rënëve dhe të vrarëve për lirinë e Kosovës!”, u shpreh Haxhiu.
