Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjete sociale, u pyet edhe nëse Shërbimi Informativ Shtetëror, teksa drejtohej nga Vlora Hyseni, ka përgjuar eksponentë të opozitës.
Berisha tha se SHISH ka survejuar dhe regjistruar opozitën dhe kundërshtarët e saj, por gjithashtu ka përgjuar edhe zyrtarë të PS-së dhe përfaqësues diplomatikë, duke shkelur sipas tij, traktatet ndërkombëtare.
Të lidhura
None found
“Shërbimi informativ i drejtuar nga Ergys Agasi, jo vetëm që ka regjistruar, survejuar, opozitën dhe kundërshtarët e tij, por ka të dhëna të plota që ka përgjuar zyrtarë, ministra, deputetë të partisë në pushtet, partisë së krimit në pushtet. Dhe po kaq të plota që ka përgjuar të gjitha ambasadat dhe shërbimet e huaja në Shqipëri. Duke shkelmuar në këtë mënyrë Konventën e Vjenës, shkelmuar traktatet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë. Dhe këto do të dalin.
I kemi denoncuar në kohë, i denoncojmë prapë sot, sepse të përgjosh shërbimet diplomatike në Shqipëri, lëvizjet e të huajve në një vend aleat të NATO-s, e bën vetëm për qëllime armiqësore ndaj këtyre vendeve, duke kërcënuar sigurinë e tyre, duke kërcënuar sigurinë e personave të përgjuar.”, tha Berisha.
Berisha tha gjithashtu se Vlora Hyseni është fotografuar duke hyrë në vilën e Ergys Agasit.
“Qytetarë dixhital më kanë dërguar fotografinë e Vlora Hysenit duke hyrë në banesën e Ergys Agasit, në vilën e tij. Nuk e kam publikuar sepse nuk e di a është e martuar apo jo, dhe kam një rregull që nuk hyj në këto sherre. Kam dëgjuar se thotë se nuk është takuar, por ajo është takuar dhe fotoja më është dërguar nga qytetar dixhital. Po flas për vilën, jo zyrën sepse zyra e tij ka qenë që po flasin njerëzit. Ata kanë qenë të pandashëm”, tha Berisha.
