Selaniku priti të shtunën ceremoninë ku Greqia dhe Bullgaria formalizuan marrëveshjet për kthimin dhe pranimin reciprok të relikeve historike dhe materialeve antropologjike.
Të lidhura
None found
Dokumentet u firmosën nga ministrat e Kulturës së dy vendeve, Lina Mendoni dhe Eftim Milosev, në prani të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe homologut të tij bullgar, Rumen Radev.

Duke folur në ceremoni, Mitsotakis deklaroi se monumentet kulturore nuk duhet të konsiderohen “plaçkë lufte”. Sipas tij, marrëveshja e arritur nuk përfaqëson vetëm një shkëmbim kulturor, por përcjell një mesazh më të gjerë.
Kryeministri grek shprehu bindjen se bashkëpunimi mes Greqisë dhe Bullgarisë do të vijojë, me synimin për të krijuar mundësi edhe për rikthimin e relikeve të tjera historike në vendet e tyre të origjinës.
Reliket që po kthehen në Greqi

Bëhet fjalë për 48 relike historike, të dërguara në Sofje në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore. Për shumë vite, ato janë mbajtur ose janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar të Bullgarisë.

Objektet i përkasin tre institucioneve fetare në Greqinë Veriore: Manastirit të Shenjtë të Panagia Eikosifoinissa, Manastirit të Shenjtë të Timios Prodromos të Serres dhe Mitropolisë së Shenjtë të Serres dhe Nigritis.

Pas mbërritjes në Greqi, reliket do të shfaqen për publikun në një ekspozitë të posaçme në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 5 nëntor.
Kur ekspozita të mbyllet, 48 objektet do t’u rikthehen institucioneve prej të cilave janë marrë. Ato do të dorëzohen në Manastiret e Shenjta të Timios Prodromos të Serres dhe Panagia Eikosifoinissa, si edhe në Mitropolinë e Shenjtë të Serres dhe Nigritis.
