Gjatë bisedës në emisionin “Live me Luizin”, moderatorja Alketa Vejsiu kujtoi të atin dhe çastet e fundit pranë tij. Teksa rrëfente për humbjen, emocionet e saj u shoqëruan me lot.
“U ndjeva jetime, sepse, sado të rritemi, kur prindërit largohen… (qan) Një pjesë e jona ikën me ta. Është një vdekje emocionale; sado ujë t’i hedhësh, mbetet një gropë ku nuk mbin më lule.
Të lidhura
None found
Lulet që lidhen me kujtimet për të duhet t’i ujisësh, duke ruajtur në mendje gjithçka të bukur që mund të vazhdojë të jetojë përmes teje. Nuk më pëlqen televizioni i lotëve, por në këtë rast është e pamundur të mos tregohesh njerëzor: ne ndiejmë.
Kur na vijnë lotët, ata na bëjnë pasqyrimin më të mirë të njerëzve që na shohin në ekran, sepse kemi ndjenja dhe përballemi të gjithë me dhimbje njerëzore.
Në mesazhin e lamtumirës shkrova se detyra më e bukur që kam është të vazhdoj jetën duke mbajtur gjallë vlerat dhe ëndrrat e tij. Unë quhem Alketa Bardhyl Vejsiu, jam vajza e tij dhe ndihem shumë krenare që jam bijë e një njeriu të thjeshtë.
Pak para se t’i shteronte fuqia, ai më tha: “Edhe sikur kjo të ishte dita ime e fundit, jam shumë i lumtur që ti ishe vajza ime dhe nuk më shkaktove kurrë asnjë dhimbje”, tregoi Alketa.
