Kuvendi i Shqipërisë i ka kthyer përgjigje kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lidhur me kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për aktivitetin e shoqërisë “KAYO” sh.a.
Dokumenti, i siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, sqaron hapat proceduralë të ndjekur për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Të lidhura
None found
Sipas shkresës së Kuvendit, çështja u diskutua në Konferencën e Kryetarëve më 17 shtator 2026. Gjatë mbledhjes nuk u arrit marrëveshje për elementet përbërëse të komisionit.
Për këtë arsye, vendimmarrja për kërkesën i takon seancës plenare, në përputhje me parashikimet ligjore.
“Megjithëse në Konferencën e Kryetarëve nuk u arrit konsensus për elementet e komisionit, çështja, sipas ligjit, i kalon për vendimmarrje seancës plenare”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Institucioni sqaron se në Konferencën e Kryetarëve ishte rënë dakord që kërkesa të mos përfshihej në rendin e seancës së 24 shtatorit, por të shqyrtohej në mbledhjen plenare të radhës.
Shkresa thekson se java pasuese, në zbatim të nenit 40/1 të Rregullores së Kuvendit dhe bazuar në programin e kalendarin e punës, nuk ishte e përshtatshme për veprimtarinë e deputetëve me zgjedhjet.
Gjithashtu, në përgjigje i referohet seancës së 5 tetorit 2026, e cila, në bazë të të njëjtit nen, është parashikuar posaçërisht për diskutimin e problematikave të evidentuara gjatë javës së veprimtarisë me zgjedhjet.
