Një zinxhir i gjatë përplasjesh që përfshiu 69 automjete u regjistrua në Karolinën e Jugut në Shtetet e Bashkuara, duke sjellë mbylljen e plotë të autostradës dhe duke lënë disa persona të plagosur.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve të medias lokale Carolina Fox, një prej të lënduarve u transportua me helikopter drejt spitalit, ndërsa të paktën dy të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja ndodhi mbi një urë që lidh qarqet Clarendon dhe Orangeburg përmes Liqenit Marion. Në momentin e aksidentit, mjegulla e dendur kishte mbuluar zonën duke ua kufizuar ndjeshëm shikueshmërinë drejtuesve të mjeteve, çka shkaktoi një varg goditjesh të njëpasnjëshme.
Departamenti i Zjarrfikësve i Sandy City konfirmoi se në incident u përfshinë 15 kamionë dhe 54 vetura.
Pavarësisht përmasave të ngjarjes, fatmirësisht nuk pati humbje jete. Megjithatë, shumë persona morën plagë dhe u dërguan në spitale. Autoritetet lokale bënë të ditur se ekipet e zjarrfikësve u angazhuan për të nxjerrë katër persona të mbetur të bllokuar në mjete.
Noah Mandel, i cili po udhëtonte me familjen nga Virxhinia drejt Floridës, u gjend papritur përballë karambolit.
Në një intervistë për një media lokale, ai e përshkroi situatën si “çmenduri” dhe tha se ishte një nga ato ngjarje që asnjëherë nuk mendon se mund të të prekin ty. Ai tregoi se pas automjetit të tij, një makinë filloi të lëshonte tym dhe më pas shpërtheu në flakë, ndërsa përpara kishte njerëz të mbetur të kyçur brenda veturave të tyre.
Mandel shtoi se prania e liqenit poshtë urës e bënte skenën edhe më të rrezikshme, por theksoi se “ishim veçanërisht me fat që asnjë nga automjetet nuk përfundoi në ujë”.
Sipas mediave vendase, ekipeve të emergjencës iu deshën disa orë punë në vendin e ngjarjes për të normalizuar qarkullimin dhe për të zgjidhur bllokimin e trafikut.
