Një situatë e rëndë u regjistrua gjatë fluturimit të një avioni të FlyDubai nga Dubai drejt Tel Avivit, ku një vajzë 6-vjeçare dhe nëna e saj u përfshinë në zhvillimet që ndihmuan në përballimin e krizës në bord.
Të lidhura
None found
Nina Manes po udhëtonte me prindërit e saj, Tali dhe Tzvika, kur ngjarjet brenda avionit morën një kthesë të frikshme.
Gjithçka nisi në momentin kur Nina i kërkoi nënës ta shoqëronte në tualet. Sipas raportimeve, në atë kohë bashkëpiloti dyshohet se sulmoi kapitenin dhe e goditi me thikë, duke tentuar të merrte kontrollin e avionit.
Teksa ndodhej pranë tualetit, nëna e vajzës dëgjoi zhurma të pazakonta që vinin nga kabina e pilotëve.
“E gjithë kabina ishte mbuluar me gjak dhe kishte një përleshje shumë të dhunshme”, deklaroi ajo për televizionin izraelit Channel 12.
Tali nisi të kërkonte ndihmë dhe u bëri të ditur pasagjerëve se piloti po sulmohej. Në të njëjtën kohë, Tzvika dëgjoi fëmijët e tij duke bërtitur, ndërsa avioni humbi lartësi dhe ai u drejtua me shpejtësi drejt kabinës.
“Vajzat bërtisnin: ‘Babi, nuk duam të vdesim’. Britmat e tyre më shtynë të vrapoja drejt kabinës”, tregoi ai.
Disa udhëtarë ndërhynë për të ndalur përshkallëzimin e situatës dhe dyshohet se ia lidhën duart pas shpine bashkëpilotit.
Ndihmë dha edhe një dentist që ndodhej mes pasagjerëve. Ai trajtoi kapitenin pas sulmit, i siguroi oksigjen dhe përdori materiale që gjendeshin në avion për të frenuar gjakderdhjen.
Kapiteni Smit Machchhar u raportua jashtë rrezikut dhe në gjendje të qëndrueshme pas incidentit. Ai u cilësua gjithashtu si një prej personave që kontribuuan në shpëtimin e avionit.
I dyshuari, i raportuar si shtetas i Omanit, u arrestua nga autoritetet saudite. Hetuesit po shqyrtojnë versione të ndryshme mbi arsyet e sulmit, ndërsa një zyrtar rajonal tha se asnjë pistë nuk është përjashtuar.
Hetimi po zhvillohet me pjesëmarrjen e autoriteteve të Arabisë Saudite, Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe, SHBA-së dhe Omanit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se i dyshuari ishte përfshirë në indoktrinim islamist. Megjithatë, autoritetet vijojnë të verifikojnë rrethanat dhe motivin e saktë të ngjarjes.
Asaf Rajuan, një nga pasagjerët që morën pjesë në ndërhyrje, tha se udhëtarët u ndien të pafuqishëm në ajër, por vepruan instinktivisht për të mbijetuar.
Ngjarja po trajtohet si një incident serioz i sigurisë në aviacion. Autoritetet po punojnë për të rindërtuar me saktësi zhvillimet brenda kabinës së pilotëve dhe për të përcaktuar motivin e të dyshuarit.
