Një operacion i përbashkët i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Korçë, strukturave të hetimit në DVP Korçë, Komisariatit të Gramshit dhe Komisariatit nr. 5 të Tiranës nisi pranë fshatit Kapshticë të Devollit dhe përfundoi në qytetin e Gramshit. Në afërsi të Kapshticës, policia pikasi dy automjete “Audi Q7”, të cilat dyshohet se kishin marrë një grup emigrantësh të paligjshëm.
Drejtuesit e automjeteve nuk iu bindën urdhrit për të ndaluar, ndaj forca të shumta policie u vunë në ndjekje të tyre. Pranë Lozhanit, ata lanë rreth 15 emigrantë të paligjshëm dhe vijuan drejt Gramshit. Në një postbllok atje, përplasën dy patrulla, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të policisë, më pas vazhduan lëvizjen. Të dyja automjetet u gjetën të braktisura në dy fshatra të Gramshit.
Të lidhura
None found
Policia i gjeti 15 emigrantët të fshehur në një përrua pranë fshatit Lozhan të Maliqit dhe sekuestroi dy automjetet që përdoreshin për transportimin e tyre drejt Tiranës. Dy drejtuesit janë identifikuar dhe shpallur në kërkim, ndërsa një person i tretë është proceduar në gjendje të lirë. Puna vijon për kapjen e të kërkuarve dhe për sqarimin e plotë të rrethanave e identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
