Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur zërin për gjendjen e rëndë ekonomike në Shqipëri, duke e përshkruar korrupsionin si një “taksë të fshehur” që po ua vështirëson përditë jetën familjeve dhe bizneseve të ndershme.
Sipas saj, teksa qytetarët punojnë më shumë e përfitojnë më pak, pushteti aktual po vepron në favor të një grupi të ngushtë të afërt me të.
Të lidhura
None found
Ajo theksoi se provat e korrupsionit dalin nga dosjet e drejtësisë dhe raportet e partnerëve europianë. Kur tenderët manipulohen apo kontratat u jepen personave të paracaktuar, pasojat reflektohen menjëherë te çmimet e larta, mungesa e garës së lirë dhe pakësimi i buxheteve për shëndetësinë, arsimin dhe pensionet.
Duke iu referuar INSTAT-it, ajo vuri në dukje se në dhjetor 2025 çmimet ishin 20,9 për qind më të larta krahasuar me dhjetorin e 2020-ës, ndërsa për ushqimet dhe pijet joalkoolike kjo rritje kapi shifrën 35,6 për qind.
Një shqetësim tjetër mbetet rënia e prodhimit dhe eksporteve. Eksportet totale ranë nga 430 miliardë lekë në 2023, në 369 miliardë në 2024 dhe më pas në 346 miliardë lekë në vitin 2025, duke pësuar një humbje prej rreth një të pestës së vlerës brenda dy viteve.
Në 2025, eksportet përballonin vetëm 39 për qind të importeve, teksa deficiti tregtar shënoi 541 miliardë lekë. Sektori i tekstileve dhe këpucëve është goditur rëndë, me një rënie prej 22,4 miliardë lekësh në eksporte gjatë dy vjetëve, çka solli edhe humbjen e mijëra vendeve të punës, veçanërisht për gratë në zonat me pak alternativa punësimi.
Sipas deputetes demokrate, një faktor tjetër që po dëmton eksportuesit është dobësimi i euros. Rënia e kursit nga 100 në rreth 91 lekë ka reduktuar të ardhurat në monedhën vendase të kompanive me afërsisht 10 për qind, ndërkohë që kostot e brendshme mbeten të pandryshuara. Paralelisht, dosjet e SPAK-ut dëshmojnë depërtimin e parave të pista dhe informalitetit në ekonomi, sidomos në fushën e ndërtimit.
Ajo solli në vëmendje edhe rastin e themelimit të shoqërisë “Guna Tactical” për prodhimin e uniformave ushtarake nëpërmjet strukturës shtetërore KAYO. Në fillim shteti kishte 51 për qind të aksioneve, por në maj 2026 kjo pjesë ra në 49 për qind, duke ia lënë kontrollin partnerit privat pa transparencë dhe pa i dhënë asnjë shans konkurence fabrikave ekzistuese shqiptare.
Në mbyllje, Tabaku kërkoi bërjen publike të të gjitha kontratave të KAYO-s, një auditim të pavarur të pasurive shtetërore, sigurimin e konkurrencës së lirë, si dhe një paketë konkrete mbështetjeje për industrinë përpunuese që përfshin rimbursimin e shpejtë të TVSH-së dhe financimin e teknologjisë.
Fjala e plotë:
Prej vitesh shqiptarët po punojnë gjithnjë e më tepër për të siguruar gjithnjë e më pak. Punëtorët zgjasin oraret, gjejnë punë të dyta dhe sakrifikojnë kohën me familjen. Biznesmenët punojnë më gjatë, vënë në rrezik kursimet, marrin kredi dhe përballojnë çdo muaj shpenzimet e energjisë, pagat, taksat dhe pasigurinë. Asnjë familje shqiptare nuk kërkon luks. Ajo kërkon që puna e ndershme të mjaftojë për një jetë të denjë; që rroga të mbulojë ushqimin, qiranë, arsimimin e fëmijëve dhe një shpenzim të papritur mjekësor. Por përballë kësaj Shqipërie që mundohet, kemi një pushtet që çdo ditë e më shumë duket se i shërben një pakice.
Nga njëra anë qëndron punonjësi që llogarit çdo lek në fund të muajit. Nga ana tjetër kemi dosje hetimore, tendera të dyshimtë, kontrata të paracaktuara dhe firma të lidhura me qeverinë. Këto nuk janë më akuza që mund të hidhen poshtë si retorikë opozitare. Janë fakte që vijnë nga organet e drejtësisë dhe nga partnerët europianë.
Korrupsioni nuk është thjesht një zarf që kalon fshehurazi nga njëra dorë në tjetrën dhe që s’ka asnjë lidhje me jetën tonë. Korrupsioni është një taksë e fshehur. Kur një tender fryhet, diferencën e paguan qytetari. Kur një kontratë i jepet mikut në vend të kompanisë më të mirë, humbet sipërmarrësi i ndershëm. Kur një treg kontrollohet nga pak duar, çmimi nuk përcaktohet më nga konkurrenca, por nga interesi i monopolistit. Kur fondet publike shkojnë te të afërmit e pushtetit, ato mungojnë për pensionet, shkollat, shëndetësinë dhe mbështetjen e prodhimit. Prandaj korrupsioni nuk është diçka larg tryezës së familjes. Ai ulet çdo ditë në atë tryezë dhe merr pjesën e tij nga të ardhurat e çdo shqiptari.
Shifrat e dëshmojnë këtë presion. Sipas INSTAT-it, në dhjetor 2025 niveli i përgjithshëm i çmimeve ishte 20,9% më i lartë se në dhjetor 2020. Për ushqimet dhe pijet joalkoolike rritja ishte 35,6 për qind. Pra, edhe kur inflacioni vjetor ngadalësohet, çmimet nuk rikthehen mbrapsht. Ato qëndrojnë në nivelin e ri, ndërsa familja vazhdon ta paguajë çdo ditë diferencën. Dhe kur ushqimet përbëjnë rreth një të tretën e shpenzimeve të familjes shqiptare, rritja e tyre nuk është thjesht statistikë. Ajo është buka, qumështi, mishi, perimet dhe shporta që vjen duke u zvogëluar.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria po humbet terren në prodhimin dhe eksportin e mallrave. Eksportet totale ranë nga rreth 430 miliardë lekë në vitin 2023, në 369 miliardë në 2024 dhe më pas në 346 miliardë lekë në vitin 2025. Brenda dy vitesh, vendi humbi gati një të pestën e vlerës së eksporteve të mallrave. Në vitin 2025, eksportet mbuluan vetëm 39 për qind të importeve, nga 50,5 për qind që ishte në vitin 2023. Deficiti tregtar arriti në 541 miliardë lekë. Ky nuk është modeli i një ekonomie që prodhon më shumë. Është modeli i një ekonomie që importon gjithnjë e më tepër dhe e ka gjithnjë e më të vështirë të konkurrojë jashtë.
Shembulli më i qartë është industria e tekstileve dhe këpucëve. Eksportet e këtij grupi ranë nga 126,3 miliardë lekë në vitin 2023, në rreth 105,1 miliardë në 2024 dhe më pas në 103,9 miliardë lekë në vitin 2025. Pra, në dy vjet, ky sektor humbi rreth 22,4 miliardë lekë eksporte, ose gati 18 për qind të vlerës së tyre. Edhe në gusht të këtij viti, tekstilet dhe këpucët patën ndikimin më negativ në ndryshimin vjetor të eksporteve. Pas bujqësisë, një tjetër sektor që siguron punë, prodhim dhe eksporte po vihet nën presion të madh.
Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për bilancet e kompanive. Por flasim për dhjetëra mijëra vende pune, kryesisht gra dhe familje në zona ku alternativat e punësimit janë të kufizuara. Janë rreth 75 mijë të punësuar në fund të vitit 2023 dhe për humbjen e 7–8 mijë vendeve të punës brenda vitit pasardhës. Të dhënat e punësimit treguan se kjo tkurrje vazhdoi edhe gjatë vitit 2025. Ndërsa në tremujorin e dytë të vitit 2026 prodhimi përpunues u rrit, punësimi në industri përsëri pësoi rënie me 2 për qind. Kjo do të thotë se edhe kur prodhohet pak më shumë, nuk po krijohen domosdoshmërisht më shumë vende pune.
Një nga goditjet kryesore për eksportuesit ka ardhur nga zhvlerësimi i euros. Një kompani që arkëton një milion euro merrte 100 milionë lekë kur kursi ishte 100 lekë për euro. Me një kurs rreth 91 lekë, arkëtimi i saj zbret në rreth 91 milionë lekë, ndërsa pagat, energjinë, sigurimet dhe një pjesë të lëndëve të para vazhdon t’i paguajë në lekë. Diferenca nuk është një shifër në ekran. Ajo është marzhi nga i cili paguhen punonjësit, bëhen investimet dhe mbahet fabrika hapur.
Ndërsa flasim, dosjet e SPAK kanë vërtetuar depërtimin e parave të pista në ekonomi. Praktikisht, Shqipëria vazhdon të përballet me pastrimin e parave, informalitetin, transaksionet e mëdha me para fizike dhe tregje ku transparenca mbi burimin e financimit mbetet e dobët. Nuk mjafton të thuash “është turizmi” dhe ta mbyllësh debatin. Duhet kontroll mbi burimin e kapitalit, pronarët përfitues, sektorin e ndërtimit dhe çdo fluks që nuk justifikohet nga ekonomia formale.
Por ndërsa industria ekzistuese kërkon tregje dhe mbështetje, qeveria krijon struktura të reja me partnerë të zgjedhur prej saj. Në maj 2025, Këshilli i Ministrave autorizoi KAYO-n të negocionte me një kompani private krijimin e një shoqërie për prodhimin e uniformave ushtarake. Vendimi parashikonte përdorimin e të paktën 20 mijë metrave katrorë pasuri publike, një investim privat minimal prej 15 milionë eurosh, 400 vende pune dhe furnizimin e Forcave të Armatosura e të strukturave të tjera të sigurisë.
Shoqëria “Guna Tactical” u themelua në gusht 2025. Fillimisht KAYO zotëronte 51 për qind dhe partneri privat 49 për qind. Në maj 2026, KAYO shiti 2 për qind të aksioneve dhe raporti u përmbys: privati mori 51 për qind, ndërsa shteti mbeti me 49 për qind. Pyetja është: përse? Si u zgjodh partneri privat? Sa u vlerësua pasuria publike? Cilat kontrata i janë garantuar shoqërisë? Përse shteti kaloi nga shumica në pakicë? A iu dha mundësi industrisë shqiptare të tekstileve, qindra fabrikave ekzistuese dhe kompanive me përvojë, të konkurronin apo të bëheshin pjesë e këtij projekti?
Nuk jemi kundër prodhimit vendas të uniformave. Përkundrazi, duam që uniformat, pajisjet dhe çdo produkt që mund të prodhohet në Shqipëri të mbajë vulën “Made in Albania”. Por “Made in Albania” nuk duhet të shndërrohet në “Made for the friends of government”. Prodhimi vendas ndërtohet me konkurrencë, teknologji, standarde dhe mundësi të barabarta; jo me kompani të paracaktuara, kontrata të mbyllura dhe pasuri publike të vendosura në dispozicion pa transparencë të plotë.
Prandaj kërkesa jonë është konkrete: publikimi i të gjitha marrëveshjeve dhe kontratave të shoqërive të KAYO-s; publikimi i mënyrës së përzgjedhjes dhe i pronarëve përfitues; auditim i pavarur mbi vlerën e pasurive publike dhe kontributet e partnerëve privatë; konkurrim i hapur për furnizimet publike; raportim për çdo pagesë nga buxheti dhe për çdo kontratë të përjashtuar nga procedurat normale për arsye sigurie.
Për industrinë përpunuese kërkohet një paketë reale: rimbursim i shpejtë i TVSH-së, mbështetje e lidhur me ruajtjen e vendeve të punës, financim për teknologji dhe eficiencë energjetike, trajnim profesional dhe mbështetje për kalimin nga fasoneria te cikli i plotë, dizajni dhe marka shqiptare. Ndihma duhet të jetë e hapur për çdo kompani që plotëson kriteret, jo një privilegj që ndahet sipas afërsisë me qeverinë.
Shqipëria nuk mund të ketë si produktin e saj më të suksesshëm korrupsionin. Duhet të prodhojë ushqime, veshje, këpucë, teknologji, ide dhe vende pune të paguara mirë. Duhet të mbrojë sipërmarrësin që investon kursimet, punonjësen që hyn çdo mëngjes në fabrikë dhe familjen që kërkon të jetojë me dinjitet nga puna e saj.
Sepse një qeveri matet me atë që prodhon vendi, jo me atë që përfitojnë miqtë e saj. Matet me numrin e vendeve të punës që mbron, jo me numrin e kompanive që krijon për klientët. Matet me sa ulet barra mbi familjen, jo me sa shtohen privilegjet për pakicën.
Shqiptarët po punojnë. Sipërmarrësit po përpiqen. Ajo që nuk po punon për ta është qeveria.
Sistemi i ngritur prej saj duhet rrëzuar dhe kjo nis duke rrëzuar qeverinë dhe kryeministrin.
Dosjet e SPAK! Korrupsioni! Kriza ekonomike! Çmimet e larta! Të gjithë kanë një emërues të përbashkët: Qeveria Socialiste dhe kryeministri Rama.
Koha ta ndryshojmë këtë qeveri! Koha ta hedhim atë në koshin e historisë për të ndërtuar një sistem të shumicës! Një sistem për shqiptarët!
