Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mori pjesë në mbrëmjen e dytë vjetore gala të Albanian American Relations Council (AARC) në New York. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, miq të komunitetit shqiptar dhe personalitete të shumta të jetës publike.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij, Konjufca vlerësoi veprimtarët, shoqatat dhe organizatat shqiptare në Shtetet e Bashkuara për punën e tyre në ndërgjegjësimin e publikut dhe institucioneve amerikane për çështjen e Kosovës. Ai tha se kontributi i mërgatës shqiptare në SHBA është në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Konjufca u ndal edhe te aktgjykimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, ai përbën një padrejtësi që nuk kufizohet te fati personal i të dënuarve, por prek edhe kauzën për çlirim dhe liri.
Ai kërkoi që kjo padrejtësi të korrigjohet dhe bëri thirrje për mbrojtjen e legjitimitetit të luftës çlirimtare të UÇK-së, si dhe të së drejtës së popullit të Kosovës për t’u çliruar nga shtypja.
Duke folur për gjendjen institucionale dhe demokratike në Kosovë, Konjufca kërkoi reflektim dhe përgjegjësi politike. Ai theksoi se interesat shtetërore e kombëtare duhet të kenë përparësi ndaj interesave të ngushta partiake dhe se, në kohë sfidash, kohezioni kombëtar dhe funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve janë thelbësorë.
Në përmbyllje, Konjufca falënderoi AARC-në për përpjekjet në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, si edhe për ndihmën në ruajtjen e fuqizimin e lidhjeve të komunitetit shqiptar në SHBA me Kosovën dhe Shqipërinë.
