Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar në Drenas kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Të lidhura
None found
Protestuesit kërkuan drejtësi dhe mbrojtjen e së vërtetës për luftën e Kosovës, duke përsëritur mesazhin “Jo në emrin tim!”. Përfaqësuesit e organizatave kritikuan mënyrën se si, sipas tyre, po trajtohet lufta e UÇK-së.
Enver Hajdari, kryetar i organizatave të dala nga Lufta në degën e Drenasit, deklaroi se nuk pajtohen me dënimet e dhëna ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Hajdari tha se vendimi i Hagës nuk përbën përfundimin e historisë, ndërsa shprehu shqetësimin për trajtimin e luftës së Kosovës mbi bazën e provave që i cilësoi të pabazuara dhe pa efekt.
“Jemi këtu sepse nuk pajtohemi me dënimin e shqiptuar nga Haga ndaj katër figurave kryesore të luftës dhe historisë sonë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Por sot u themi qartë: kjo nuk është fjala e fundit e historisë. Ne jemi të shqetësuar thellë për mënyrën se si po trajtohet lufta jonë, në bazë të provave të pretenduara që janë të pabazuara dhe nuk kanë asnjë efekt”, tha Hajdari.
Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai theksoi se mbështetja për ish-drejtuesit e UÇK-së duhet të shprehet me qetësi, dinjitet dhe në mënyrë demokratike.
Lladrovci tha se banorët e Drenasit e njohin më mirë se kushdo tjetër gjenocidin e Serbisë, duke përmendur edhe sakrificën e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Me ftesë të organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi këtu në këtë protestë kundër aktgjykimit të turpshëm në Hagë. Jemi këtu bashkë për t’i përkrahur heronjtë tanë të luftës dhe paqes, që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Përkrahja jonë shprehet me dinjitet, qetësi dhe në mënyrë demokratike. Qytetarët e Drenasit e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër gjenocidin shekullor të Serbisë”, tha Lladrovci.
Kryetari i komunës përmendi gjithashtu masakrat dhe varrezat masive në disa zona të Drenasit, të cilat, sipas tij, dëshmojnë për përvojën e drejtpërdrejtë të kësaj komune gjatë luftës.
Ndër folësit ishte edhe Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos heshtin për atë që e quajti luftë të drejtë të UÇK-së dhe kërkoi që partitë shqiptare të bashkohen rreth kësaj çështjeje, të cilën e konsideroi më të madhe se dallimet politike.
Krasniqi tha se mbrojtja e luftës së UÇK-së nënkupton njëkohësisht mbrojtjen e së ardhmes së shtetit, kujtesës së brezave dhe të drejtës për ta treguar historinë siç ka ndodhur.
“Ata që dikur na mbrojtën, sot kanë nevojë që ne të mos heshtim, duke mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së. Ne nuk po mbrojmë vetëm të kaluarën, por po mbrojmë edhe të ardhmen e shtetit tonë, kujtesën e brezave dhe të drejtën tonë për ta treguar historinë ashtu siç është. UÇK-ja bëri luftë të drejtë. UÇK-ja bëri luftë për dinjitetin tonë. Sot duhet t’i lëmë mënjanë të gjitha dallimet politike. Të gjitha partitë shqiptare duhet të bashkohen rreth një çështjeje që është më e madhe se secila parti, më e madhe se secili individ”, tha ai.
Në protestë folën edhe përfaqësues të familjeve Deliu dhe Muçolli, familje që kanë humbur anëtarë të tyre në masakrat e luftës.
Imer Deliu e kundërshtoi aktgjykimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se ai nuk prek vetëm ish-drejtuesit e UÇK-së, por edhe vetë mënyrën se si po trajtohet historia e luftës në Kosovë.
“Ky është një vendim të cilin të gjithë e kundërshtojmë dhe e thërrasim: ‘Jo në emrin tim!’. Vendimi i Gjykatës Speciale nuk i ndëshkon vetëm anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe udhëheqësit e UÇK-së, por e ndëshkon historinë tonë. E përbalt gjakun e derdhur për liri të fëmijëve, nënave, motrave, të të gjitha gjeneratave, njëra pas tjetrës. Prandaj, i themi: ‘Jo në emrin tim!’”, tha Deliu.
Edhe Skender Muçolli kërkoi bashkim përtej ndarjeve politike dhe personale. Sipas tij, drejtësia për viktimat, ruajtja e së vërtetës së luftës dhe përcjellja e saj te brezat e ardhshëm kërkojnë veprim të përbashkët.
“Ka momente kur, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi mes nesh, duhet të na bashkojnë çështje të cilat i kalojnë kufijtë individualë të vetë individit. Drejtësia për viktimat e luftës, përpjekjet për të vërtetën e luftës dhe ruajtja e asaj të vërtete për brezat që vijnë pas nesh janë çështje të cilat kërkojnë tejkalimin e kufijve individualë dhe bashkimin e të gjitha forcave dhe energjive në një drejtim të vetëm: në mbrojtjen e interesit nacional dhe kombëtar”, shtoi Muçolli.
Protesta e mbajtur në Drenas është pjesë e tubimeve të organizuara nga Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së në disa qytete të Kosovës, kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
