Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka miratuar njëzëri një Deklaratë Politike me tri pika.
Të lidhura
None found
PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës të votojë Projektligjin e paraqitur nga kjo parti, i cili parasheh plotësime dhe ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Gjithashtu, është kërkuar rishikimi i legjislacionit dhe marrëveshjeve përkatëse që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi.
Këshilli Drejtues ka shprehur kundërshtimin ndaj aktgjykimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke theksuar se drejtësia duhet të zbatohet në mënyrë të paanshme dhe pa ndikime politike.
Një tjetër kërkesë e PDK-së lidhet me garantimin e mbështetjes së plotë institucionale për mbrojtjen juridike dhe procesin gjyqësor në Apel. Për këtë arsye, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës janë ftuar që, në përputhje me detyrimet ligjore dhe institucionale, të sigurojnë financim të pakufizuar, si dhe ndihmë profesionale e teknike për ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit gjatë procedurave të mëtejshme juridike.
Po në kuadër të deklaratës, Këshilli Drejtues i PDK-së ka shprehur mbështetjen për organizimet popullore kundër vendimeve që i konsideron të padrejta në Hagë.
