Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar për nismën e Partisë Demokratike, e cila ka depozituar një draft për riorganizimin administrativo-territorial të Shqipërisë.
Sipas propozimit të opozitës, vendi duhet të ndahet në 100 bashki dhe 12 qarqe. Dokumenti shoqërohet me një relacion prej 168 faqesh, ku PD thotë se ka shqyrtuar kriteret ligjore e teknike, si edhe nevojat e komuniteteve për një mënyrë të re të qeverisjes vendore.
Të lidhura
None found
Balla e ka cilësuar nismën e demokratëve si një “draft alternativ (retro)” dhe ka nënvizuar se ajo duhet të kalojë më parë përmes gjithë hapave të përcaktuar nga procedura parlamentare.
“Pasi thanë se Komisioni i Posaçëm nuk e ka mbaruar punën, sot Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paska ardhur me një propozim alternativ (retro) për reformën administrative territoriale, falë konsultimeve të gjata në kuadër të punës së Komisionit. Ja pra Komisioni ia vlejti”, shkruan Balla.
Sipas tij, drafti duhet t’u dërgohet për mendim këshillave bashkiakë dhe Qeverisë, ndërsa procesit duhet t’i lihet koha e nevojshme.
“Siç e parashikon procedura parlamentare ky draft duhet t’u shkojë këshillave bashkiake dhe Qeverisë për mendim. Duhet të marrë kohën e vet”, vijon ai.
Ndërkohë, kreu i grupit socialist njofton se mazhoranca do të vazhdojë me nismën e saj, në përputhje me afatet e parashikuara në Kalendarin e Kuvendit.
“Ndërkohë vazhdojmë procedurën parlamentare me propozimin tonë, siç është përcaktuar në Kalendarin e Kuvendit. Menjëherë më pas, maksimumi pas zgjedhjeve vendore të pranverës, Komisioni i Posaçëm do duhet të ringrihet për ta vijuar reformën e bashkive europiane në një nivel tjetër”, shprehet Balla.
PD, nga ana tjetër, argumenton se nisma për 100 bashki dhe 12 qarqe nuk synon vetëm shtimin e numrit të njësive vendore, por edhe transformimin e modelit të qeverisjes lokale.
Opozita deklaron se përmes këtij drafti kërkon t’i afrojë më shumë institucionet me qytetarët, të forcojë demokracinë vendore dhe përgjegjshmërinë, si edhe të përmirësojë shërbimet, autonominë financiare dhe zhvillimin e balancuar territorial.
Sipas PD-së, modeli i propozuar duhet të ndërtohet mbi decentralizim real, autonomi financiare, përcaktim të qartë të kompetencave, përgjegjësi e llogaridhënie, demokraci lokale dhe zhvillim të ekuilibruar të territorit.
