Autoritetet turke kanë arrestuar 45 persona në kuadër të një hetimi për një skandal që lidhet me fondet e investimeve. Lajmi u bë i ditur ndërsa ministri i Financave mohoi zërat se kishte dhënë dorëheqjen.
Të lidhura
None found
Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, njoftoi në një postim në X se ndaj 76 të dyshuarve janë ndërmarrë procedura ligjore, ndërsa 45 prej tyre janë vënë në pranga.
Sipas tij, autoritetet kanë sekuestruar pasuritë e pronarëve të fondeve dhe të personave nën hetim që mbanin poste drejtuese. Ndërkohë, pasuritë e familjarëve të tyre të afërt janë ngrirë.
Mediat turke raportojnë se mes të arrestuarve ndodhet edhe Erkan Kilimci, ish-zëvendësguvernator i Bankës Qendrore.
Hetimi i prokurorëve lidhet me veprimtarinë e 131 fondeve të investimeve, në pronësi të shtatë kompanive. Sipas vlerësimeve të mediave turke, asetet e këtyre kompanive kapin një vlerë totale prej më shumë se 826 miliardë lirash turke, rreth 15 milionë euro.
Autoriteti Turk i Tregjeve të Kapitalit (SPK) i vendosi të gjitha këto kompani nën likuidim më 17 shtator. Sipas autoritetit, fondet administronin pasuritë e mbi 455,000 investitorëve privatë.
Ndërkohë, ministri i Financave Mehmet Simsek reagoi mbrëmjen e kaluar ndaj raportimeve për largimin e tij, duke i cilësuar ato “të pabaza”.
“Spekulime të tilla, të cilat synojnë stabilitetin ekonomik të vendit tonë, nuk duhet të merren seriozisht”, deklaroi Simsek në një postim në X.
Çështja nisi të marrë përmasa pasi SPK publikoi më 28 gusht udhëzime të reja, përmes të cilave fondet u kërkohej të mos përqendronin të gjitha investimet në një aksion të vetëm dhe të shpërndanin portofolet e tyre.
Për të zbatuar rregullat e reja, fondet nisën të shisnin aksione, ndërsa investitorët filluan të tërhiqnin paratë e tyre. Më pas, disa prej fondeve deklaruan se nuk mund t’i shndërronin asetet në likuiditet me shpejtësinë e nevojshme.
Hetimi përfshin akuza për krim të organizuar, mashtrim shtetëror, shkelje të legjislacionit për tregjet financiare dhe evazion fiskal.
Megjithatë, në rritje janë edhe pikëpyetjet mbi arsyet përse rregullatorët nuk ndërhynë më herët në këtë situatë.
