Maqedonia renditet ende ndër vendet ku përdorimi i duhanit dhe produkteve të ngjashme mbetet i lartë. Të dhënat më të fundit të EUROSTAT tregojnë se gjatë vitit 2022, 22,5 për qind e qytetarëve të moshës mbi 16 vjeç konsumonin çdo ditë duhan ose produkte të ngjashme. Shifra është dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2025 ishte 16,5 për qind.
Të lidhura
None found
Sipas EUROSTAT, në BE konsumi ditor i duhanit ka shënuar rënie, duke kaluar nga 17.5% në 16.5%. Në të kundërt, Turqia, Serbia, Kroacia dhe Bullgaria kanë regjistruar rritje të konsiderueshme. Maqedonia mbetet pjesë e këtij realiteti ballkanik, ku niveli i duhanpirjes vazhdon të jetë i lartë. Të dhënat e fundit të disponueshme për vendin tregojnë se në vitin 2022, 22.5% e personave 16 vjeç e lart përdornin çdo ditë duhan dhe produkte të ngjashme.
Ndërkohë, rezultatet më të fundit nga vendi vijnë përmes GYTS 2024, Anketës Globale për Përdorimin e Duhanit te të Rinjve, të publikuar në shkurt 2026. Sipas saj, 13.6% e nxënësve të moshës 13–15 vjeç përdorin një produkt duhani, duke shënuar nivelin më të lartë të evidentuar deri tani në këtë seri anketash.
Përdorimi i duhanit lidhet me mbi një të tretën e rasteve të kancerit të mushkërive dhe me një numër të konsiderueshëm të sëmundjeve kardiovaskulare. Pulmologu Zekirija Shahini ka shprehur shqetësimin e tij për përmasat e fenomenit, duke theksuar se duhani është shkaktari kryesor i kancerit të mushkërive.
“Duhet të ngrihet alarmi dhe, pse jo, njerëzit edhe të frikësohen, sepse kemi të bëjmë me një rrezik real. Duhet të bëhet e qartë se shkaktari i kancerit të mushkërive është duhani. Edhe nëse nuk arrijmë ta ndalojmë 100%, duhet ta parandalojmë ose të gjejmë një alternativë që të shmangë shfaqjen e sëmundjeve fatale. Ajo që më shqetëson më shumë është mosha e re e pacientëve. Nuk bëhet fjalë për persona 70 apo 80 vjeç, por për një numër të madh pacientësh 50–60 vjeç, që konsiderohet moshë shumë e re, moshë mesatare. Po shohim rritje të vdekjeve te pacientët e moshave të reja”, deklaroi pulmologu Zekirija Shahini.
Projektligji për mbrojtjen nga duhani ndodhet aktualisht në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë. Nisma synon ndalimin e konsumimit të duhanit në hapësirat publike dhe në vendet e punës, ndërsa parashikon edhe përcaktimin e qartë të rregullave për tarracat e lokaleve të shërbimit të ushqimit.
Dokumenti përfshin për herë të parë edhe cigaret elektronike, produktet e duhanit me ngrohje dhe produkte të tjera të reja që përmbajnë nikotinë. Gjithashtu, ai parashikon masa më të rrepta për reklamimin dhe promovimin e duhanit dhe produkteve të lidhura me të, veçanërisht në hapësirat digjitale dhe rrjetet sociale, me synim kufizimin e ndikimit te të rinjtë./TV21/
