Një operacion antidrogë në Katania të Italisë përfundoi me plagosjen e tre oficerëve të policisë, të cilët u dërguan për trajtim në spital.
Të lidhura
None found
Incidenti u regjistrua të hënën, më 21 shtator, në lagjen San Cristoforo, e njohur për aktivitetin e trafikut të drogës.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët e Skuadrës Fluturuese të komisariatit u përballën me një sulm ku u përdorën helmeta, shufra dhe karrige, raportojnë mediat italiane.
Një prej policëve pësoi frakturë në hundë dhe trauma në fytyrë. Dy kolegët e tij morën mavijosje dhe dëmtime të tjera, ndaj të tre u transportuan në spital për ndihmë mjekësore.
Për shkak të përshkallëzimit të situatës, në zonë u dërguan edhe patrulla të tjera të Policisë së Shtetit, me qëllim mbështetjen e efektivëve të angazhuar në operacion.
Pas ndërhyrjes, tre persona u arrestuan dhe u transferuan në burg.
Rasti i Katanias u shënua vetëm pak ditë pas një sulmi tjetër ndaj policisë në Palermo.
Në lagjen Falsomiele, një grup banorësh sulmoi me gurë një automjet patrullimi. Sipas raportimeve, ata po përpiqeshin të ndihmonin tre persona me motoçikleta të largoheshin, pasi nuk kishin ndaluar në një pikë kontrolli.
Disa efektivë u plagosën, ndërsa dy persona të dyshuar për sulmin u identifikuan dhe u arrestuan në një depo. Përveç kësaj, gjatë incidentit u dëmtuan edhe dy makina patrullimi.
Dy episodet e ndodhura brenda pak ditësh kanë rikthyer diskutimin mbi dhunën me të cilën përballen policët gjatë aksioneve në zonat e trafikut të drogës dhe kontrolleve në terren.
