Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit që rregullon Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Të lidhura
None found
Sipas Hamzës, iniciativa është ndërmarrë në një periudhë kur debati publik në Kosovë për proceset ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është intensifikuar, veçanërisht pas protestave të zhvilluara kundër aktgjykimit ndaj tyre.
PDK-ja ka deklaruar se synimi i nismës është trajtimi i çështjeve që lidhen me funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe zhvillimin e procedurave gjyqësore.
Aleanca e ka mbështetur këtë iniciativë, ndërsa LVV-ja ka njoftuar se do ta analizojë me kujdes propozimin e PDK-së. Sipas LVV-së, duhet të vlerësohet nëse ndryshimet janë në pajtim me kuadrin ligjor dhe çfarë ndikimi do të kishin në proceset që po zhvillohen në Hagë.
LVV-ja ka kërkuar gjithashtu që së pari të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se çështja kërkon një qasje të koordinuar institucionale dhe shtetërore.
Propozimi i PDK-së pritet të rikthejë në Kuvend diskutimet për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale, në një kohë kur zhvillimet gjyqësore në Hagë vazhdojnë të jenë pjesë e debatit politik dhe shoqëror në Kosovë.
Lama: Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet me nismë ligjore
Ish-ambasadorja Alma Lama, në një deklaratë për “Bota sot”, ka thënë se Dhomat e Specializuara nuk mund të shfuqizohen përmes një iniciative për ndryshimin e ligjit.
Ajo ka vlerësuar se energjia duhet të përqendrohet te Gjykata e Apelit, e cila, sipas saj, mund të ndikojë në uljen ose heqjen e dënimeve në rast se ato rezultojnë të pabazuara.
“PDK-ja e di shumë mirë se Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet. Një nismë ligjore nuk do të sjellë rezultat, pasi do të kërkohej ndryshimi i Kushtetutës. Për këtë nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve dhe dy të tretat e votave të përfaqësuesve të komuniteteve, pra shumica e dyfishtë.
Për më tepër, Kosova ka edhe detyrime ndërkombëtare. Për këtë arsye, fokusi duhet të jetë te Gjykata e Apelit, e cila mund t’i zvogëlojë ose t’i heqë dënimet nëse ato nuk janë të mbështetura në prova”, ka deklaruar Lama.
Sipas saj, krijimi i Gjykatës Speciale ka qenë kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Lama ka kritikuar njëkohësisht kohën e gjatë të hetimeve dhe rëndesën e dënimeve.

Alma Lama ka thënë se Kosova duhet ta vijojë përballjen në kuadër të drejtësisë ndërkombëtare dhe përmes veprimeve diplomatike.
“Gjykata Speciale nuk ka qenë kurrë një shaka, por një kërkesë vendimtare e bashkësisë ndërkombëtare, konkretisht e SHBA-së dhe BE-së, e cila mbështeti Këshillin e Europës.
Dënimet janë të rënda, ndërsa hetimet kanë zgjatur tepër. Për më tepër, akuza për trafikim organesh nuk ka qenë pjesë e hetimit, pasi që në fillim u kuptua se bëhej fjalë për një shpifje monstruoze të Serbisë dhe Rusisë.
Beteja e Kosovës duhet të vazhdojë, por brenda sistemit të drejtësisë ndërkombëtare dhe në rrafshin diplomatik”, ka deklaruar ajo.
Burjani: Problemi kryesor lidhet me mënyrën e gjykimit
Juristi Blerim Burjani, duke folur për “Bota sot”, ka thënë se mandati i Gjykatës Speciale është i përcaktuar qartë, por ka shprehur shqetësime për mënyrën se si zhvillohen gjykimet.
Sipas tij, çështjet më problematike kanë të bëjnë me paanshmërinë e gjykatës, vlerësimin dhe administrimin e provave, si dhe me nevojën që proceset të bazohen në standarde të drejta gjyqësore.
“Mandati është i qartë, ndërsa shqetësimi lidhet me gjyqtarët. Ligji nuk mund ta ndryshojë mandatin apo kompetencat e saj, pasi ajo mbetet gjykatë. Çështja kryesore është mënyra e gjykimit: sa i drejtë është procesi, si janë vlerësuar dhe administruar provat dhe si janë kualifikuar ato.
Këtu qëndron problemi kryesor. Kjo gjykatë ka shqetësime sa i përket paanshmërisë. Nuk duket se vepron në mënyrë normale dhe mbi bazën e provave materiale apo formale. Ka shumë probleme në mënyrën se si u janë qasur proceseve të katërshes.

Kërkesa është për drejtësi të rregullt dhe vendimmarrje të mbështetur në prova, jo për shmangie apo politizim të procesit gjyqësor”, ka theksuar Burjani.
Juristi ka shprehur dyshime edhe për standardet e ndjekura gjatë gjykimit, duke kërkuar një proces të pavarur dhe të paanshëm.
“Dyshimet lidhen me standardet e gjyqësisë dhe me parimet themelore. Duhet parë nëse kemi të bëjmë me një gjykatë që zhvillon proces të rregullt apo me një institucion të manipuluar dhe të njëanshëm.
Dëmi është shkaktuar në masë të madhe në shkallën e parë, përmes aktgjykimeve drakonike dhe absurde. Tani shpresohet që Gjykata e Apelit të jetë më profesionale dhe më e paanshme.
Kërkesa bazë është zbatimi i parimeve të drejtësisë së pavarur, pasi besimi në këtë gjykatë mungon. Ligji mund të ndryshojë, por misioni i saj nuk mund të ndryshohet, sepse ai mbetet zbardhja e dyshimeve për krime lufte”, ka thënë ai.
Burjani ka shtuar se monitorimi i Gjykatës Speciale, i përmendur nga PDK-ja, nuk do të sillte ndryshime të rëndësishme. Sipas tij, mbrojtja duhet të përqendrohet te puna e avokatëve dhe sigurimi i fakteve të reja për procedurën në Apel.
“Monitorimi i përmendur nga PDK-ja nuk ka efekt mbi këtë gjykatë. Ligji mund të ndryshojë vetëm në mënyrë kozmetike dhe jo në atë masë që të sjellë ndryshime thelbësore. Vetëm zhbërja e saj do t’i shpëtonte luftëtarët në Hagë, ndërsa pjesa tjetër është kryesisht politike.
Tani nevojitet një mbrojtje efektive nga avokatët dhe mbledhja e sa më shumë fakteve që mund të kenë munguar në shkallën e parë. Procesi duhet të kthehet në favor të palëve që janë dënuar nga shkalla e parë”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.
