Dy shkolla të mesme në Tetovë u vunë këtë mëngjes në alarm pas kërcënimeve të rreme për bomba. Bëhet fjalë për Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtejn” dhe Shkollën e Mesme Ekonomike “8 Shtatori”. Nxënësit u larguan nga oborret e institucioneve para se mësimi të niste plotësisht, ndërsa pjesëtarët e Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës zhvilluan kontrolle të detajuara antiterroriste.
Të lidhura
None found
Në shkollën e mjekësisë, njoftimi kërcënues u dërgua në adresën zyrtare elektronike në orët e para të mëngjesit. Drejtoresha Malësore Ramadani tha se policia u lajmërua rreth orës shtatë, ndërsa nxënësit u mbajtën jashtë godinës dhe më pas u kthyen në shtëpi. Sipas saj, ata mund të rikthehen vetëm pasi policia të japë konfirmim me shkrim, ndërsa procesi mësimor do të vijojë pasdite. Ramadani shtoi se alarmet vijnë gjithmonë në gjuhën maqedonase dhe nga adresa elektronike të panjohura.
Edhe Shkolla e Mesme Ekonomike “8 Shtatori” u përball me të njëjtën situatë. Mesazhet kërcënuese mbërritën gjatë natës në adresën personale dhe atë zyrtare të drejtuesve, si edhe në adresën elektronike të shkollës, për të cilën ishte raportuar se nuk funksionon.
Drejtoresha Hava Hasani deklaroi se emaili i parë u dërgua në orën një të natës në adresën e saj personale dhe të sekretares. Pas përfundimit të kontrollit, policia i autorizoi të vazhdonin mësimin./TV21/
