Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi në Nju Jork një takim me kongresistin amerikan Mike Lawler, ku u diskutua për zhvillimet në Kosovë dhe, në veçanti, për vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Të lidhura
None found
Takimi u zhvillua në kuadër të qëndrimit të Kurtit në Shtetet e Bashkuara, ku ai ndodhet për Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Mike Lawler është pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa drejton Nënkomisionin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Kurti e përshkroi si “të padrejtë” aktgjykimin e Speciales dhe nënvizoi se duhet të ndahet ajo që është pretenduar gjatë procesit nga faktet që gjykata ka konsideruar të provuara dhe për të cilat ka marrë vendim.
Një pjesë të veçantë të diskutimit ai ia kushtoi çështjes së “Shtëpisë së Verdhë” dhe akuzave për trafikim organesh.
“Pretendimi për ‘Shtëpinë e Verdhë’ dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës”, tha Kurti.
Akuzat se pjesëtarë të UÇK-së kishin trafikuar organe të të burgosurve në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri morën vëmendje të gjerë pas raportit të Dick Martyt, të publikuar në vitin 2010. Ky raport çoi në nisjen e një hetimi të posaçëm dhe më pas në themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Megjithatë, pretendimet për trafikim organesh nuk u përfshinë në aktakuzën e ngritur ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëakuzuarve të tij.
Kryeministri theksoi gjithashtu se katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm për akuzat që lidhen me krimet kundër njerëzimit.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtorë për disa krime lufte dhe morën dënime me burgim. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Në të njëjtin vendim, trupi gjykues i shpalli ata të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.
Sipas Kurtit, mbetet shqetësuese jotransparenca e Dhomave të Specializuara “që nga nisja e punës së saj e deri sot”. Ai kritikoi edhe dënimet e dhëna, duke deklaruar se aktgjykimi “lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike”.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë”, shkroi Kurti.
Katër ish-krerët e UÇK-së kanë deklaruar se nuk janë fajtorë dhe kanë bërë të ditur se do ta kundërshtojnë në apel vendimin e shkallës së parë.
Kurti udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara më 18 shtator. Sipas Zyrës së Kryeministrit, gjatë qëndrimit në Nju Jork ai po zhvillon takime dypalëshe me liderë botërorë, me synim promovimin e interesave të Kosovës.
Programi i tij përfshin gjithashtu takime me komunitetin shqiptar në SHBA, organizata të diasporës dhe investitorë të mundshëm.
Në bisedën me Lawlerin u trajtuan edhe mundësitë për shtimin e investimeve amerikane në Kosovë, veçanërisht në sektorët e teknologjisë, prodhimit dhe energjisë.
Takimit iu bashkua edhe Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë. Sipas Kurtit, diskutimet përfshinë gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Kurti bëri të ditur se me kongresistin amerikan foli edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi. Ai pretendoi se kjo praktikë prek mijëra shqiptarë dhe ndikon në ushtrimin e së drejtës së votës, si dhe në pajisjen me dokumente identifikimi.
