Policia Kufitare e Morinës ka arrestuar një 34-vjeçar nga Kosova, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për trafikim të lëndëve narkotike.
Shtetasi me inicialet Y. A., banues në Ferizaj të Kosovës, u ndalua teksa po hynte në Republikën e Shqipërisë. Operacioni u krye nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me DVP Kukës, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje dhe dalje të kufirit për goditjen e paligjshmërive dhe kapjen e personave në kërkim që tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Të lidhura
None found
Nga verifikimet dhe shkëmbimi i të dhënave me Interpol Tiranën rezultoi se Gjykata e Uiesbadenit në Gjermani kishte vendosur ndaj 34-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të parashikuar nga legjislacioni penal gjerman.
Y. A. u arrestua me qëllim ekstradimin, ndërsa Interpol Tirana, në koordinim me homologët gjermanë, po vijon procedurat për dërgimin e tij në Gjermani.
