Dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor “Akciza 3”, i cili çoi në zbulimin e një rasti të dyshuar të kontrabandës së mallrave nga Greqia drejt Shqipërisë.
Të dyshuarit u ndaluan në flagrancë, teksa udhëtonin me autobus në aksin rrugor “Kakavijë-Gjirokastër”.
Të lidhura
None found
Në pranga përfunduan O. L., 43 vjeç, dhe M. D., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë. Aksioni u ndërmor nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, mbi bazën e informacioneve të përcjella nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajonale Vlorë-Gjirokastër, si dhe në kuadër të kontrolleve kundër kontrabandës së mallrave.
Autobusi, i cili drejtohej me ndërrim nga dy 43-vjeçarët, u ndalua nga shërbimet e Policisë përgjatë aksit “Kakavijë-Gjirokastër”.
Kontrolli zbuloi në hapësira të mbyllura e të maskuara 100 steka cigare dhe shumën prej 22 695 eurosh. Sasi të tjera mallrash u gjetën edhe në bagazhin e mjetit.
Mes sendeve të konstatuara në autobus ishin kuti me produkte deti e mishi, produkte bulmeti, kuti me medikamente dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme. Sipas dyshimeve të hetuesve, këto mallra ishin sjellë kontrabandë nga Greqia me qëllim futjen e tyre në territorin shqiptar.
Si prova materiale u sekuestruan autobusi, aparati celular, mallrat e gjetura dhe paratë. Policia dyshon se rasti mund të jetë i lidhur me një veprimtari më të gjerë kontrabande, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.
Dy të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Gjithashtu, ndaj tyre janë ngritur dyshime për “Mosdeklarimin në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”, “Fshehjen e të ardhurave” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Grupi hetimor po punon për të zbuluar nëse në këtë aktivitet janë përfshirë edhe persona të tjerë. Materialet e çështjes i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për vijimin e procedurave.
