Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp se qytetarët duhet të kenë mundësinë të vendosin përmes referendumit nëse pranojnë ndërtimin e minierave pranë shtëpive të tyre. Reagimi i tij erdhi pas njoftimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski për ndërtimin e minierave dhe shfrytëzimin e pasurisë minerale.
Të lidhura
None found
Filipçe tha se pasuritë kombëtare nuk mund të konsiderohen pronë private e kryeministrit, duke nënvizuar se për çështje të tilla duhet të merret parasysh vullneti i qytetarëve.
“Kryeministri Hristijan Mickoski po shpall shitjen e vendit. E dëgjova dje, ai tha se jemi të pasur me xehe dhe se shpreson të tërheqë investitorë për të ndërtuar miniera këtu. Dua t’ia them qartë dhe me zë të lartë se nuk duhet të shesë thesaret kombëtare. Para së gjithash, qytetarët duhet të pyeten për minierat”, u shpreh Filipçe.
Sipas tij, banorët duhet të marrin një vendim të drejtpërdrejtë për hapjen e minierave në afërsi të zonave ku jetojnë, sidomos në një periudhë kur cilësia dhe siguria e ujit përballen me probleme serioze.
“Banorët e zonave përkatëse duhet të shprehen në referendum nëse janë pro apo kundër ndërtimit të minierave pranë vendbanimeve të tyre. Tani që kemi një rast të ndotjes së ujit, tani që pas kaq shumë muajsh dhe pesë mijë njerëzve të helmuar në Gostivar, të cilët kanë pirë ujë të kontaminuar me fekale, ende nuk kemi të dhëna nëse uji është i pastër në letër. Le të shohim nëse, në kushtet kur çdo ditë po hapen disa vende në rajonin e Strumicës ku uji nuk është i sigurt, ekziston rrezik shtesë për ndotje nga substanca jashtëzakonisht toksike, si antimoni, dhe kush do ta garantonte sigurinë e këtij procesi. Kush do të sigurojë që nesër të mos gjendet antimon në ujë nëse hapen miniera të tilla pa u pyetur qytetarët?”, tha Filipçe.
Ai theksoi se Qeveria nuk duhet ta shfrytëzojë pasurinë kombëtare si zgjidhje për problemet dhe dështimet e saj ekonomike./Telegrafi/
