Avokatja kryesore e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka deklaruar se mbrojtja është e zhgënjyer me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe se do ta kundërshtojë atë përmes apelit.
Të lidhura
None found
Pas shpalljes së vendimit, Alagendra tha se provat me rëndësi të paraqitura gjatë procesit nuk janë analizuar në mënyrën e duhur ose nuk kanë marrë peshën që, sipas saj, u takonte.
“Është tashmë e qartë se do ta apelojmë këtë aktgjykim. Qëndrimi ynë është se rezultati i vetëm i duhur, bazuar në provat, ishte shpallja i pafajshëm i Jakup Krasniqit për të gjitha akuzat”, u shpreh ajo.
Ajo rikujtoi edhe moshën e Krasniqit, i cili është afër 76 vjeç, si dhe periudhën e gjatë që ai ka kaluar në paraburgim gjatë këtij procesi.
Sipas avokates, përgjatë më shumë se dy vjetëve të gjykimit, asnjë dëshmitar nuk ka thënë se është keqtrajtuar nga Krasniqi apo se një gjë e tillë ka ndodhur në praninë e tij. Alagendra shtoi se dëshmitarë ndërkombëtarë dhe dëshmitarë të Prokurorisë nga Kosova kanë dhënë vlerësime pozitive për karakterin dhe sjelljen e tij.
Alagendra theksoi se Jakup Krasniqi ka kaluar gjithsej 16 vjet në burg ose paraburgim. Në këtë periudhë përfshihen rreth 10 vjet gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe gati gjashtë vjet për shkak të çështjes së trajtuar në Hagë.
Avokatja tha se Krasniqi vazhdon të ndihet krenar për luftën për Kosovën e re të krijuar në vitin 1999 dhe se ai beson që brezat e ardhshëm duhet t’i çmojnë liritë e arritura.
Në përmbyllje, ajo njoftoi se ekipi mbrojtës do t’i shqyrtojë mundësitë për apel dhe për përdorimin e mjeteve të tjera juridike. Po ashtu, Alagendra përcolli falënderimin e Krasniqit për qytetarët e Kosovës, të cilët e kanë mbështetur dhe i kanë besuar gjatë gjithë procesit.
