Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, zhvilloi sot një mbledhje me Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm, përkatësisht Kryesinë Qendrore të BDI-së. Në takim u shqyrtuan situata aktuale politike në vend dhe masat për fuqizimin e kapaciteteve organizative e strukturore të partisë.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të BDI-së, vëmendje e posaçme iu kushtua edhe vendimit të 16 shtatorit 2026 të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryesia Qendrore theksoi se, në një kohë kur shqiptarët e kanë përqendruar vëmendjen te Haga dhe vendimi për pjesëtarët e UÇK-së, duhet rikujtuar mënyra se si filloi ky proces, pretendimet mbi të cilat u ndërtua dhe ajo që ka mbetur prej tyre pas gjithë këtyre viteve.
Sipas vlerësimit të Kryesisë, nisma që solli krijimin e Gjykatës Speciale u mbështet te raporti i Dick Marty-t dhe te akuzat e rënda për trafikim organesh. Megjithatë, pas shumë vitesh hetimesh dhe zhvillimi të procesit gjyqësor, asnjë prej pretendimeve për të cilat u ngrit kjo Gjykatë nuk u provua. Në mungesë të fakteve, sipas BDI-së, u ndërtua një proces kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Në njoftim ritheksohet se lufta e UÇK-së kishte për qëllim çlirimin dhe lirinë e Kosovës, ndërsa historia e saj dhe sakrifica e një populli për liri nuk mund të vihen në gjykim përmes një procesi gjyqësor të sajuar.
BDI-ja i cilësoi protestat e organizuara pas shpalljes së aktgjykimit si një mënyrë legjitime të shprehjes qytetare në një shoqëri demokratike. Sipas partisë, asnjë shtet demokratik dhe asnjë kushtetutë demokratike në botë nuk e ndalon të drejtën për të protestuar.
Qytetarëve u takon e drejta që qëndrimet dhe pakënaqësitë e tyre t’i shprehin me protesta paqësore dhe pa dhunë. Në përfundim të njoftimit, BDI-ja bëri thirrje që të mos lejohet tjetërsimi i historisë së luftës çlirimtare të Kosovës.
