Klestor Veseli, i biri i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ndarë përmes rrjeteve sociale emocionet dhe përjetimet e tij gjatë shpalljes së dënimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë për udhëheqësit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një shkrim të gjatë, ai përshkruan me hollësi minutat e pritjes dhe takimin vizual me të atin në sallë, ku shkëmbyen një gjest të veçantë me duar – një simbol që ai e lidh me mesazhin “të dua”. Ky gjest, sipas tij, ishte huazuar nga gjuha e shenjave dhe ishte përdorur nga Kadri Veseli gjatë aktiviteteve politike për t’i folur popullit.
Të lidhura
None found
Ai tregon se, edhe para leximit formal të vendimit, e kishte parandjerë se çfarë do të ndodhte. “Nga mënyra si po shpreheshin gjyqtarët, e kuptova që babin dhe shokët e tij do t’i godisnin. Ajo që kishim pasur më shumë tmerr po bëhej realitet,” rrëfen ai.
Sipas Klestor Veselit, shqetësimi i familjeve nuk buronte nga drejtësia, por nga ndërhyrjet politike. “Përballë kësaj të keqeje, ne nuk e humbasim besimin te vlerat perëndimore dhe jemi të bindur se shkalla e Apelit do ta vërë në vend këtë vendim të njollosur nga politika,” vijon ai.
Në reagimin e tij, ai thekson se të afërmit e të dënuarve nuk do të tërhiqen dhe u bën apel simpatizantëve të mos përgjigjen me mllef. “Duhet të jetë e qartë: nuk ka alternativë dorëzimi, nuk ka vend për turp dhe nuk ka hapësirë për pikëllim e urrejtje,” shprehet ai.
Pjesa përmbyllëse e shkrimit i dedikohet kujtimit të familjeve të dëshmorëve, personave të pagjetur dhe luftëtarëve të UÇK-së. Ai thekson se familjarët e ish-kreut të UÇK-së “kanë një borxh të pazgjidhur” ndaj të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës.
Në fund, Klestor Veseli deklaron se, përpara Zotit dhe mbarë kombit shqiptar, babai i tij Kadri Veseli, bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën, “do të mbeten përgjithmonë njerëz me ndërgjegje të pastër”.
